Mbi 500 vjet pasi Leonardo da Vinci pikturoi Mona Lizën, një akademike beson se ka zbuluar misterin rreth sfondit, të një prej veprave të artit më të famshme në botë. Historianët e artit, kanë debatuar prej kohësh peizazhin e pikturës, duke spekuluar mbi vendndodhjet, që mund të kenë frymëzuar Leonardon, por gjeologia dhe specialistja italiane e Rilindjes, Ann Pizzorusso, mendon se e ka identifikuar atë, në Lecco, në Italinë veriore.
“Kur erdha në Lecco, kuptova se ai kishte pikturuar Mona Lizën këtu,” tha Pizzorusso, duke folur për qytetin e vogël në brigjet e liqenit të Komos, i njohur deri më tani, si mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e romanit kryevepër të Alessandro Manzoni, “I promessi sposi”.
Sipas studiueses, ura me hark e paraqitur në pikturë, korrespondon me Ponte Azzone Visconti, i shekullit të 14-të, edhe pse teoritë e mëparshme, e kishin lidhur atë me struktura të ngjashme në qytete të tjera italiane, si Arezzo dhe Bobbio.
Pizzorusso, nuk është personi i parë, që ka pretenduar se ka zgjidhur misterin, por ajo citon njohuritë e saj për gjeologjinë, për të mbështetur pretendimet e saj.
Ura për mua nuk ishte aspekti i rëndësishëm i pikturës. Në hipotezat e tjera, gjeologjia ishte thjesht e pasaktë.
Gjeologia, zbuloi se formacionet shkëmbore në Lecco, ishin gur gëlqeror, i cili përputhej me atë, që paraqitet pas gruas fisnike.
Kur shikoni Mona Lizën, shihni këtë pjesë të lumit Adda, dhe shihni një liqen tjetër pas tij, i cili tregohet në mënyrë të përkryer, nën këto male të mprehta.
Michael Daley, drejtor ekzekutiv i ArtWatch UK, organizatë jofitimprurëse, që monitoron ruajtjen e veprave të artit, u shpreh:
Asnjë historian arti, nuk është i kualifikuar aq sa Ann, në kuptimin e të njohurive shkencore të saj.