Të mbledhur në kryeqytetin hungarez Budapest, në një samit jozyrtar, liderët europianë pritet të gjejnë mënyra për të rifilluar konkurrencën e bllokut kundrejt Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Prej një kohe të gjatë, BE-ja lufton për rritjen ekonomike për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19 e goditjes në çmimin e energjisë nga pushtimi rus i Ukrainës.
Rizgjedhja e Donald Trump-it si president i Amerikës i jep urgjencë të re sfidave pasi ai kërkon rritje të tarifave amerikane për të gjitha importet deri në 10 e 20%. Ish-presidenti argumenton se SHBA-të po trajtohen padrejtësisht nga BE-ja e të tjerë partnerë tregtarë. Ndërkaq, dëshiron të adresojë deficitin tregtar duke rritur aftësitë prodhuese amerikane.
Grumbullimi i më shumë problemeve në ekonominë e BE-së janë vështirësitë e shumta të Gjermanisë në sektorët e inxhinierisë, automobilave, industrisë kimike, si dhe prodhimit. Ekonomia me peshën më të rëndë të bllokut është një shtytëse kryesore e rritjes ekonomike në Union.
Përveç kësaj, Berlini zyrtar është në trazira politike pas rënies së koalicionit qeveritar për shkak të vendimit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili shkarkoi ministrin e tij të Financave, Christian Lindner. Një pyetje kyçe për liderët e BE-së e që rrethon konkurrencën ekonomike të Bllokut është se si të financohen investimet e nevojshme nga burimet private ose publike të financimit.
Udhëheqësit e BE-së do të zotohen të eksplorojnë dhe përdorin të gjitha instrumentet e mjetet për të përmbushur qëllimet tona, sipas një draftdeklarate, edhe pse në vlerësimin e diplomatëve të Bashkimit Europian, “gjuha është qëllimisht jo e qartë”.
Takimi zhvillohet në Budapest, në “Pushkash Arena”, një stadium futbolli, me një raport nga ish-kryeministri italian, Mario Draghi, i cili gjithashtu do të marrë pjesë. Dokumenti i tij formon bazën për bisedimet. Po ashtu, në axhendë janë zgjedhjet e fundit në Gjeorgji dhe vendimi i parlamentit izraelit për të ndaluar agjencinë UNRWA, ofruesja kryesore e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës për palestinezët. Izraeli e akuzon për lidhje të punonjësve të saj me Hamasin.