Aktualitet Sport

“Sfida më e rrezikshme…”- Donnarumma flet për kuqezinjtë: Janë të shpejtë, duhet të japim 100%!

Portieri dhe njëkohësisht kapiteni i të kaltërve Gianluigi Donnarumma ka dalë sot në konferencën e radhës për shtyp, ku tha se Italia duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Shqipërisë, në mënyrë që ketë një rrugë më të sigurt më tej në Euro 2024.

“Kjo është sfida më e rrezikshme, pasi jemi në një grup të vështirë dhe nuk mund të gabojmë në debutim. Ata janë të shpejtë, kanë një lojë të bukur dhe nesër nuk mund të luash me 79-80%, por duhet të jesh në 100%. Ne i mendojmë ndeshjet me radhë ndaj duhet fituar që të vendosim një pjesëz në vendin e duhur. Shqipëria ka individualitete shumë të forta dhe duhet të jemi të vëmendshëm që të mos krijojmë hapësirë, pasi dinë të të godasin keq në kundërsulm”, tha Donnarumma, duke shtuar se do të nevojitet kompaktësi, ekuilibër dhe shumë vëmendje që të mos rrezikojnë në fushë.

“Ndeshja mund të fitohet edhe në minutën e fundit. Fitorja nesër është e detyrueshme dhe do të na vendoste në një pozitë ndryshe. Ndërsa po të mos marrim pikë, do të na vendoste në një situatë shqetësuese. Edhe pse objektivi ynë është të marrim pikë në çdo ndeshje. Të jem kapiten është një përgjegjësi më shumë, por nuk ndryshon shumë gjëra. Në këtë grup ka shumë lider që do të tregojnë prezencën e tyre, ashtu siç do të bëj unë. Europiani i kaluar ishte fantastik dhe i paharrueshëm, u shkrua historia dhe tani të mundohemi të shkruajmë një tjetër për Italinë.

Më mirë në mbrojtje me tre apo me katër? Për mua i rëndësishëm nuk është moduli, por si interpretohet ndeshja. Duhet sulmuar dhe mbrojtur të gjithë bashkë, të jemi të lidhur. Për mua ka pak rëndësi, është trajneri që vendos”, tha Donnarumma para gazetarëve.