Rajoni Sport

Sfida e ndërprerë me Kosovën, kombëtarja rumune: Falënderojmë tifozët për sjelljen e tyre!

Kombëtarja e Futbollit të Rumanisë falënderoi tifozët e pranishëm në stadiumin Arena Bukuresht dje në mbrëmje në ndeshjen kundër Kosovës, e cila u ndërpre pasi lojtarët e Kosovës e braktisën fushën duke u ankuar për thirrje raciste ndaj tyre nga tifozët rumunë.

Kombëtarja dëshiron t’i falënderojë ata që ishin prezentë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për sjelljen e tyre në ndeshjen me Kosovën, një ndeshje që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve jo vetëm pse zgjati tri orë, por po ashtu si një shembull i unitetit dhe solidaritetit.

Në minutën e 92-të të lojës, futbollistët e Kombëtares kosovare e lanë fushën në Bukuresht, në ndeshjen që po zhvillohej në kuadër të Ligës së Kombeve.

Eshtë për keqardhje veprimi i ekipit që zgjodhi të largohej nga fusha pa miratimin e arbitrit e refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë, në frymën e lojës së drejtë, që reflekton mungesë respekti jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë.

Ky ishte reagimi nga Kombëtarja e Rumanisë, shtetit anëtar të Bashkimit Europian, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, theksoi se falënderon tifozët për “inkurajimin e dhënë dhe për mirëkuptimin e qëllimit të përbashkët në këtë ndeshje”.

Tifozët ia dolën aq sa mundën që të mos iu përgjigjeshin sfidave që vinin nga kundërshtarët tanë.

Ndërkaq, policia rumune raportoi se 13 tifozë u gjobitën pas ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës e nëntë të tjerëve iu ndalua hyrja në stadiume për një vit. Autoritetet thanë se po vazhdojnë kontrollet për të identifikuar personat që shkelën ligjet, përkatësisht për përdorimin e lëndëve plasëse e dhunës gjatë eventeve sportive. UEFA, shtëpia e futbollit europian, njoftoi në web-faqen e saj se ndeshja u braktis dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.

Provokimet nga tifozë rumunë, dje në mbrëmje ndërprenë ndeshjen e Nations League-s mes Rumanisë e Kosovës në Bukuresht. Lojtarët kosovarë u larguan nga fusha në minutat shtesë kur rezultati ishte 0-0. Në turmë, tifozët rumunë thërrisnin “Serbia!”.

Pamjet televizive treguan disa lojtarë dhe staf të skuadrës kosovare duke bërë gjestin e shqiponjës. Skuadra e Kosovës u largua nga fusha pas një diskutimi të gjatë me arbitrin.