Sport

Sezoni më i dobët, Manuel Nojer zhgënjen tifozët

Ekipi i Vinsent Kompani nuk mundi të shkonte më shumë se barazimin 3-3 në Eintraht Frankfurt. Ajo që ishte veçanërisht e dhimbshme ishte se pothuajse çdo goditje e Frankfurt përfundonte në rrjetë.

Ndërsa stili i rrezikshëm i lojës së trajnerit Vinsent Kompani tashmë është kritikuar javët e fundit, pakënaqësia e tifozëve tani drejtohet gjithnjë e më shumë kundër Manuel Nojer. Pas një fillimi të furishëm të sezonit me gjashtë fitore nga gjashtë ndeshje, euforia në Mynih është zvogëluar dukshëm. Bajerni ka mbetur pa fitore në tre takimet e fundit, në Bundesligë vetëm barazim kundër Bajer Leverkusen dhe Eintraht Frankfurt (3:3), ndërsa në Champions pësuan humbjen e parë të sezonit ndaj Aston Vila (0:1).

Ajo që është kurioze përkon me faktin se në këto tre ndeshje, Bajerni lejoi gjithsej nëntë goditje në portë, pesë prej të cilave përfunduan në rrjetë. Nojer në veçanti po përballet me kritika në rritje. Ndërsa performanca mbrojtëse e Kompani dhe stili i rrezikshëm i lojës janë parë si shkaqe të mundshme për dështimet e fundit, gjithnjë e më shumë tifozë po dyshojnë nëse kapiteni 38-vjeçar mund të vazhdojë të performojë në nivelin më të lartë. Pavarësisht opinioneve të ndara të fansave, statistikat flasin qartë.

Sipas vlerësimeve të “Sofascore”, kapiteni i bavarezëve është një nga portierët më të dobët në Bundesligë këtë sezon. Me një vlerësim mesatar prej 6.54, ai është i 20-ti në mesin e të gjithë portierëve të Bundesligës. Shkalla e tij e goditjeve të bllokuara është edhe më alarmante. Nojer ishte në gjendje të priste vetëm 41.7 për qind të goditjeve të kundërshtarit, vetëm Florian Myler i Fraiburgut (40 për qind) rezultoi më keq. Për krahasim, Peter Gulashi i Lajpcig kryeson ligën me një normë pritjesh prej 92 përqind.