I ftuar në emisionin “Pardon My French” ditën e sotme ka qenë artisti dhe anëtari i grupit të njohur OFFCHESTRA, Sezgin Curi. Në një intervistë mjaft të veçantë në Top Albania Radio ai ka treguar shumë detaje ekskluzive për krijimet e tij dhe ecurinë e një prej grupeve më të pëlqyera nga të gjithë.
Sezgini tregoi se OFFCHESTRA është krijuar si grup në vitin 2011 dhe se:
Top Channel është ajo shtëpia që ne si OFFCHESTRA, si vokalistë na ka lançuar. Prej vitit 2011 dhe deri në 2013 ishte edhe njëfarë tranzicioni, kemi pasur dhe kemi ndërruar këngëtarët në grup sepse edhe ne si formacion kemi bërë muzikë edhe me band-e të tjera por që ai formacion si OFFCHESTRA kur kemi dalë e kemi pasur fokusin më shumë tek instrumentalet edhe disa këngë prej këngëtarëve që i kemi zgjedh ‘random’.
Historinë e grupit të njohur ai vendosi ta tregonte për herë të parë ekskluzivisht në Top Albania Radio.
Ka një histori tjetër që unë zakonisht nuk e kam folur dhe kjo është hera e par që po flas se njerëzit na kanë parë. Në 2008 jam kthyer nga Turqia dhe tani gjatë karrierës këtu në Kosovë e kemi nisur me një formacion që ka qenë i formuar atëherë prej Drenit dhe unë kam qenë pjesë e ‘Zig Zag’-ut. Unë kurrë se kam folur është hera e parë. Në vitin 2011 e kemi pasur një ‘crash’ shumë të madh mes grupit, muzikantëve të grupit dhe solistit dhe i gjithë grupi u nda. Nuk e kam folur asnjëherë dhe nuk kam pasur qejf ta flas. Ndodhi një përplasje dhe u ndamë, ne kemi qenë muzikantë në atë kohë që kemi formuar atë formacion që kemi vazhduar muzikën që kemi bërë. Ka qenë koha e këngës ‘Ti dhe Unë’ i gjithë ai regjistrim por nga aty ndodhi një thyerje, e fundit ka qenë në Angli. Këtë unë e kam folur këtu dhe se besoj më që do e flas. Unë kurrë nuk e kam përmendur më parë dhe kurrë nuk kam për të folur më. Formacioni i tanishëm për ne është një kthesë e madhe në 2013 që ‘A bon’ që kemi thënë ‘Hej!’.
Sezgini u pyet gjithashtu nëse mendonte se grupi OFFCHESTRA mund të jetë një përfaqësues i denjë i Shqipërisë për në ‘Eurovision’.
Edhe kënga jonë “Bajram” ishte në garë për të shkuar në Eurovision tek Festivali i Këngës, po edhe aty e kemi një rast shumë të veçantë. Agim Doçi doli dhe tha që ja këta po dalin dhe po përmendin Bajram e festa, po përmendin gjëra fetare. Unë e thashë që më vjen keq sepse nuk jemi duke i përmendur, unë them ‘me pi’ pra e përmend. Faktikisht kur je i pirë nuk ke lidhje me asgjë. Ne u skualifikuam në gjysmëfinale dhe në finale e fituam çmimin e jurisë, që ishin votimet e publikut.
Pas këtij rasti a do ta shikojmë sërish grupin OFFCHESTRA duke konkurruar në Festival?
Nëse na thonë ‘Hajdeni’. Nëse na shikoni aty dijeni se na kanë premtuar që do të fitojmë.(qesh) E meritojmë, e di që çdo artist që ka shkuar por besoj që OFFCHESTRA do të kishte munduar që të sillte një këngë të kohës. Premtojmë këngë ‘up to date’ për Eurovision.
Artisti tregoi gjithashtu se kjo verë do të jetë mjaft e mbushur me festivale dhe me dasma. Sezgini gjithashtu tregoi se do të kishte qejf të merrte pjesë edhe në formate si “Dancing With The Stars” ndërsa për në “Big Brother VIP” ai tregoi se:
Aty është një luftë ndryshe artistikes, aty duhet të luash ndryshe.