Koreja e Jugut njoftoi se ka parë shenja se Veriu komunist po përgatitet të shkatërrojë rrugë në pjesën veriore e që lidhin dy Koretë. Eshtë fjala për akse që nuk përdoren më. Kjo ndodh ndërsa janë rritur tensionet mes dy shteteve, pas pretendimeve të Koresë së Veriut se ajo e Jugut ka fluturuar dronë mbi territorin e saj duke shpërndarë pamflete fyese.
Shkatërrimi i rrugëve do të ishte në linjë me përpjekjet e liderit koreano-verior, Kim Jong Un, për të shkëputur raportet me Korenë e Jugut dhe zyrtarisht për ta çimentuar atë si armiken kryesore. Po ashtu, për të hequr dorë nga synimi i vjetër i bashkimit paqësor të dy Koreve.
Ushtria e Koresë së Jugut deklaroi:
Ata po instalojnë ekrane në rrugë dhe po punojnë pas këtyre ekraneve, duke u përgatitur që të hedhin në ajër rrugët. Shkatërrimi i rrugëve mund të ndodhë edhe sot.
Ushtria e Koresë së Jugut beson se po ashtu, Veriu mund të tentojë të lëshojë një raketë në hapësirë. Një lëshim i tillë është i ndaluar nga Kombet e Bashkuara pasi cilësohet “testim i teknologjisë të raketave me rreze të gjatë veprimi”. Lee tha se Koreja e Veriut mund të jetë duke kryer “provokime të vogla” kundër Seulit, por nuk specifikoi se për çfarë provokimesh bëhet fjalë. Nuk është e qartë se sa rrugë planifikon të shkatërrojë vendi komunist.
Ky zhvillim vjen në kohën kur Koreja e Veriut akuzon Jugun se ka nisur dronë për të lëshuar broshura propagande mbi Phenian, tri herë gjatë këtij muaji dhe ka kërcënuar se do të përgjigjet me forcë nëse kjo ndodh sërish. Koreja e Jugut ka refuzuar të konfirmojë nëse ka çuar dronë, por paralajmëroi se do të ndëshkojë ashpër Korenë e Veriut në rast se kërcënohet siguria e qytetarëve të saj.
Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Veriut tha se njësitë e artilerisë dhe të tjera të ushtrisë pranë kufirit me Korenë e Jugut janë urdhëruar “të jenë në gatishmëri të lartë për të hapur zjarr”. Një zëdhënës i ushtrisë koreano-veriore vuri në dukje se i gjithë territori i Koresë së Jugut “mund të shndërrohet në hi” pas një sulmi të fuqishëm nga Veriu.