Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka bërë një apel për bashkëpunim mes forcave politike ndërsa pritet që të nisë sesioni i ri parlamentar.
Në një postim në platformën X, Gonzato shprehet se zbatimi i reformave të nevojshme për anëtarësimin kërkojnë një parlament funksional dhe bashkëpunim mes partive.
“Falë procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit, Shqipëria ka tani një pasqyrë të qartë të reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Ashtu si i thashë ministres Elisa Spiropali gjatë takimit tonë të parë [të premten], zbatimi i këtyre reformave do të kërkojë funksonimin efektiv të parlamentit dhe një bashkëpunim të mirë midis të gjitha institucioneve.
Të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku për axhendën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, duke reflektuar vullnetin e fortë të qytetarëve shqiptarë për t’u anëtarësuar në BE”, shkruan ambasadori.
Opozita duket se do ta vijojë aty ku e la dhe si e la sesionin e ri parlamentar. Gazment Bardhi ka paralajmëruar se do të vijojë skenarin e kaosit në Kuvend por këtë herë në krye nuk do të jetë Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023.
Në orën 17:00 kur do të mbahet dhe seanca e parë plenare për këtë vit të ri, mësohet se do të jetë i pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj që do të mbajë një fjalim para ligjvënësve.
Kjo ka sjellë reagimin e Gazment Bardhit, i cili thotë se nuk janë njoftuar as nga Kuvendi e as nga Presidenca për praninë e Begajt. Madje sipas tij, Presidenti po përdoret nga mazhoranca si fasadë për një normalitet të rremë, ndërsa thekson se do të vijojnë me kaosin pavarësisht pranisë së kreut të shtetit.