Së fundmi miliarderi i teknologjisë Elon Musk ka rifituar titullin e njeriut më të pasur në botë. Kreu i Tesla, SpaceX dhe Twitter dhe manjati francez Bernard Arnault janë vazhdimisht në garë për kryesimin e listës së Bloomberg të njerëzve më të pasur në botë. Megjithatë, Arnaud humbi vendin e parë për shkak të rënies së çmimit të aksioneve të LVMH. Besimi i tregjeve në fuqinë e sektorit të luksit po pakësohet dhe aksionet e LVMH kanë rënë me rreth 10% që nga prilli.
Në të kundërt, Elon Musk ka fituar më shumë se 55.3 miliardë dollarë këtë vit, kryesisht për shkak të Tesla-s. Pasuria e tij tani vlerësohet në rreth 192 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg. Multimiliarderi Bernard Arnault humbi 11.2 miliardë dollarë nga pasuria e tij brenda një dite, për shkak të rënies së çmimit të aksioneve të kompanive luksoze evropiane. Aksionet e LVMH ranë me 5% në Paris, mes një rënieje më të gjerë që fshiu rreth 30 miliardë dollarë nga sektori i luksit evropian.
Edhe me humbjet, miliarderi francez ende ka një pasuri me vlerë neto prej 191.6 miliardë dollarësh, sipas Indeksit të Miliarderëve të “Bloomberg”. Themeluesi i LVMH, ofertat e të cilit përfshijnë çanta dore “Louis Vuitton”, “Moet & Chandon Champagne” dhe veshjet “Christian Dior” kishte parë rritje të pasurisë së tij për pjesën më të madhe të vitit 2023, kur çmimet e aksioneve të kompanive luksoze evropiane u rritën.