Seriali i animuar “Simpsons” njihet për disa parashikime në dukje të rastësishme të ngjarjeve apo teknologjive të së ardhmes, që kanë habitur jo pak publikun. Programi amerikan i disa dekadave njihet për parashikimet e sakta të ngjarjeve si presidenca e Donald Trump, një pandemi e ngjashme me COVID-19, sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, e shumë të tjera.
Tashmë misterit i shtohet dhe fakti se vetë seriali mund të jetë ‘parashikuar’ nga egjiptianët e lashtë, sidomos për personazhin Marge Simpson. Një imazh i një sarkofagu të lashtë egjiptian ka një pikturë me masë jetësore që ngjan me Marge Simpson, mamaja e dashur e fëmijëve Bart, Lisa e Maggie në serialin televiziv. Sarkofagu i gjetur në një varrezë 3500 vjecare egjiptiane mban imazhin e gruas me lëkurë të verdhë, me fustanin e saj karakteristik jeshil dhe flokët e ngritur lart ngjyrë blu, për të cilat Marge dallohet.
Detajet u zbuluan në një postim në rrjetin Reddit ku thuhej se sarkofagu ishte i dinastisë së 20-të egjiptiane (rreth viteve 1186-1069 p.e.s.), e perëndeshës Nut. Një historian shpjegonte se arkivoli me shumë gjasa ishte i një vajze adoleshente, prindërit e së cilës nuk ishin shumë të pasur.
Njerëzit në rrjet dalluan shpejt ngjashmërinë e egjiptianes së lashtë, duke thënë se ata kishin parashikuar serialin “Simpson”. Një prej tyre tha:
Pra egjiptianët kanë parashikuar “Simpsons”? Kjo është një kthesë e papritur e historisë.
Ndërsa një tjetër shtonte me shaka:
Janë “Simpsons” që parashikojnë gjërat që ndodhin, kësaj radhe dikush ka parashikuar “Simpsons”.
Të tjerë përdorues sugjeronin se krijuesit e seriait “Simpsons” mund të zotërojnë dije të fshehta ose ndonjë formë udhëtimi në kohë prej saktësisë së tyre në njohjen e ngjarjeve të shkuara e të ardhshme. Një prej tyre spekulonte:
Regjisori i “Simpsons” Matt Groening zotëron komunikime me të ardhmen e të shkuarën. Ka edhe personazhe të tjera të Groening që i referohen artit egjiptian. Ndoshta ka lidhje me alienët dhe udhëtimin në kohë, nuk ka shpjegim tjetër.