Transmetimi i serialit kosovar “Rrushe” premierë në ekranin e Top Channel, i titruar në gjuhën standard, ka shkaktuar një rrufe reagimesh në Kosovë dhe Shqipëri. Përkthimi shqip-shqip ka shkaktuar një debat të nxehtë në mediat shqiptare dhe ato të Kosovës.
Pikërisht i pyetur në lidhje me këtë autori dhe publicist i njohur Ardian Vehbiu dhe poetja Mimoza Ahmeti kanë dhënë mendimin e tyre në lidhje me çështjen e shumë komentuar. Publicisti Ardian Vehbiu është shprehur:
Dua të them diçka edhe unë por nuk e kam parë. Unë vetë për shembull, me sinqeritet kur shoh filma amerikanë, megjithëse kam shumë vjet që jetoj në Amerikë , kam qejf t’i ve titrat. Në ca ndërhyrje që kam parë thonë që ndodh edhe me gjuhë të tjera.
Nga ana tjetër, poetja Mimoza Ahmeti thotë:
Ose mund të jetë edhe njëlloj përkthimi sepse shpesh herë fjalët nuk kuptohen dhe kur i përkthen ti kupton se çfarë thotë fjala.
Në diskutimin për titrimin e serialit kanë reaguar shumë figura publike e politike këtej dhe andej kufirit. Megjithatë siç Vehbiu sqaron përkthimi është bërë nga kompania e shpërndarjes së serialit dhe televizioni Top Channel i ka sinkronizuar dhe dërguar për transmetim. Ai shton:
Por lexova pastaj që atë përkthim e kishte bërë kompania distributore e filmit. Nuk e kishte bërë televizioni. Atë titrimin. Kështu që shkon një çikë më thellë kjo punë.
Ardian Vehbiu i dha këto deklarata nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ku ka qenë i ftuar për të folur për statusin e fjalës, dhe nga ku mbështeti rëndësinë e saj, por edhe faktin se gegërishtja për rrethana historike është më e pasur se toskërishtja.