Rajoni

Serbia sfidon Perëndimin: I sanksionuar i SHBA-së, Vulin bëhet zv/kryeministër!!

I mandatuari me krijimin e qeverisë së re të Serbisë, Millosh Vuçevic, paraqiti sot propozimin e tij me emra e ministrave të rinj në kabinet, që vjen si një shuplakë për perëndimin.

Ashtu siç ishte paralajmëruar qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol, ndërsa rikthen në postin e zëvendëskryeministrit ish- kreun e shërbimit të inteligjencës Aleksandar Vulin, pavarësisht faktit që i është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej korrikut 2023.

Njeriu i fortë i politikës së jashtme serbe, Ivica Dacic, tani do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa në krye të diplomacisë serbe vendoset Marko Gjuric, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popovic, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol. Qeveria e re e Serbisë e merr detyrën pas zgjedhjeve të dhjetorit, të cilat i fitoi me shumicë votash Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vucic. Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje në zgjedhje.

Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale, që u mbajtën më 17 dhjetor në Serbi, i vunë në dukje edhe misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore, ndërsa autoritetet i mohuan në mënyrë të përsëritur parregullsitë e mëdha zgjedhore.