Rajoni

Serbia i përgjigjet Kurtit: Ushtarët afër kufirit penguan kontrabandën me lëndë drusore!

Ministria e Mbrojtjes në Beograd reagoi ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit.

Autoritetet e sigurisë kanë ndërprerë kontrabandën me pemë të prera ilegalisht.

Serbia akuzon Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.

Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara. Zyrtarë ushtarakë që shihen në foto ishin duke parandaluar kontrabandën.

Autoritetet e sigurisë ndaluan aktivitetet ilegale të transportit së lëndëve drusore në territorin e Kosovës dhe hajdutët e tyre kanë ikur në Kosovë.

Kurti u shpreh se Serbia ka provokuar sërish, “duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën”, më saktësisht pranë komunës së Kamenicës. Sipas tij, “trupat ushtarake serbe u larguan pasi panë se autoritetet e Kosovës i regjistruan veprimet e tyre”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Ky postim i Kurtit u bë pak javë pas shënimit të përvjetorit të parë të sulmit në Banjskë të Zveçanit ku një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku. U vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për organizim dhe kryerje të sulmit, por Beogradi e mohon. Përgjegjësinë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Autoritetet kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe dhjetëra personave të tjerë, që besohet se janë të lirë në Serbi. Tre prej tyre u arrestuan në Kosovë. Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra. Mbi 60% e kësaj vije përfshin komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Një pjesë e mirë është zonë me terren të vështirë, të pabanueshëm. Dy vendet kanë arritur marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit në dhjetor të vitit 2011. Për Kosovën, vija kufitare është kufi, për Serbinë, vijë administrative. Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare, Policia e Kosovës.