Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se ministri për Komunitetet dhe Kthimin në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, “njoftoi pushtimin” e institucioneve arsimore e shëndetësore serbe nga autoritetet e Kosovës, duke shtuar se roli i tij në qeverinë e kryeministrit Albin Kurti është të jetë “udhëheqës” e “megafon”.
Rashiç po kontribuon në fushatën e përditshme antiserbe, e cila synon një Kosovë e Metohi të pastër etnikisht, pa serbë, të cilët Kurti dëshiron t’i lërë pa spitale, shkolla, mjekësi dhe tekste shkollore e në këtë mënyrë të shkaktojë një katastrofë humanitare, thuhet në reagimin e Petkoviçit lidhur me deklaratën që Rashiç dha për Radion Evropa e Lirë.
Në fakt, në deklaratën e tij, Rashiç nuk ka “njoftuar” për pushtimin e spitaleve dhe shkollave që funksionojnë në zonat ku jetojnë serbët në Kosovë e në bazë të sistemit serb. Por, ministri ka theksuar se duhet të planifikohen opsionet, që të mos “befasohemi nga ajo që Beogradi fsheh nga ne”.
Po ashtu, u shpreh se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, që financohen nga buxheti i Serbisë e funksionojnë nën sistemin e saj, duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë këtë.
Duhet të gjejmë hapësirë në ligjet e Kosovës, në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të mos pësojnë dëme, tha Rashiç për Radion Evropa e Lirë.
Me marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel në vitin 2013, u ra dakord për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, për ngritjen e komunave e të institucioneve të tjera sipas sistemit të Kosovës, si dhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Asociacioni do të rregullonte funksionimin e disa institucioneve serbe dhe financimin e tyre.
Kosova nuk e ka formuar Asociacionin dhe Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë institucionet paralele. Por, nga fillimi i këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë filluar t’i mbyllin institucionet serbe, me arsyetimin se puna e tyre cënon rendin kushtetues të vendit.
Këto veprime janë kritikuar nga komuniteti serb e nga bashkësia ndërkombëtare, e cila thotë se të tilla lëvizje “të pakoordinuara” mund t’i rrisin tensionet në terren.