Kryediplomatët e Kosovës dhe të Serbisë janë përplasur në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se serbët e Kosovës po diskriminohen dhe po shtypen nga autoritetet e Kosovës. Por, këto akuza u hodhën poshtë nga kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Gërvalla mbrojti veprimet e Qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, që komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar si veprime të njëanshme.
Ajo tha se nuk duhet t’iu besohet pretendimeve të Gjuriqit se serbët në Kosovë nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare. “Realiteti është i qartë. Përfundimisht, qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale”, tha Gërvalla.
Gjuriq u ankua se serbët po përballen me diskriminim, dhunë dhe shtypje, duke përmendur disa nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, sikurse ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe komunave që punonin sipas sistemit serb.
Ai tha se Serbia qëndron me serbët në Kosovë dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë. “Koha për veprime vendimtare është tani. Veprimet e Prishtinës vazhdon të minojë stabilitetin, shkelin të drejtat e njeriut dhe injorojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Na duhen pasoja të qarta. Duhen të vendosen sanksione ndaj administratës së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe duhet zero tolerancë ndaj veprimeve të tjera të njëanshme që nxisin konflikte dhe tensione”, tha ai.
Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Zijadeh, përmendi shqetësimin e shprehur nga sektori civil serb, banorët dhe partitë politike lidhur me vendimet për mbylljen e institucioneve në veri – që vepronin sipas sistemit serb – për ndikimin që kanë në jetën e tyre.
“Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe zyrave komunale që udhëhiqen nga ana e Serbisë kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime me rëndësi kyç, në veçanti sa i përket komunitetit serb në Kosovë”, tha ajo.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, po ashtu kërkoi që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që tha se do të garantonte të drejtat e serbëve.
Sipas Gjuriqit, Kosova nuk do që ta themelojë këtë asociacion, për të cilin tha se nuk është opsion, por obligim nga dialogu i Brukselit.
Por, Gërvalla tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është i interesuar që Asociacioni t’ua lehtësojë jetën serbëve të Kosovës.
“Për të Asociacioni nuk është vegël për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është opsion për ta copëtuar një vend të territorit tonë. Sikurse [presidenti rus, Vladimir] Putin me Ukrainën, Vuçiqi nuk do asgjë më pak sesa zhdukjen e Kosovës”, tha ajo. Gërvalla tha se Serbia nuk është e interesuar për dialog, duke e akuzuar Beogradin për bllokim të procesit.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit prej vitit 2013. Më 2015, u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Ndërsa, vitin e kaluar, ato e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.
Gërvalla po ashtu foli për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ajo tha se ky ishte vetëm tentimi i parë, siç tha, i Serbisë, ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se Vuçiqi “po përgatitet për më shumë”.
“Sulmi i Serbisë i 24 shtatorit të vitit të kaluar u planifikua si invasion ushtarak dhe aneksim i një shteti paqësor që ka mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë, ai ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit kundër një shteti me prani të NATO-s. Është test për Perëndimin, test për më shumë. Dhe Vuçiqi e Putini nuk po heqin dorë. Prandaj, fillimisht na duhet parandalim, e më pas dialog. Vetëm me parandalim, paqja dhe siguria mund të jenë të sigurt”, tha ajo.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin në Banjskë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Ndaj tij dhe dhjetëra serbëve të tjerë, autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë.
Gërvalla tha se Kosova kërkon ekstradimin e Radoçiqit nga Serbia. SHBA-ja kërkon që përgjegjësit e Banjskës të dalin para drejtësisë. Ambasadori amerikan në OKB, Robert Ëood, kritkoi Serbinë se nuk ka bërë mjaftueshëm që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të përballen me drejtësinë.
“Ka kaluar më shumë që nga sulmi paramilitar serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe Serbia nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm për të mbajtur përgjegjës, përfshirë liderin e vetëshpallur të këtij sulmi Millan Radoiçiq. Ne kërkojmë përgjegjësi të plotë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se SHBA-ja është e shqetësuar me veprimet e #pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës, që nuk përkojnë me zotimet e Kosovës që të punojë në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja”.
“Këto veprime prekin mirëqenien e komuniteteve joshumicë dhe minojnë rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Duke folur për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se është e vetmja rrugë për anëtarësimin e palëve në institucionet evropiane.
Uood tha se SHBA-ja po punon me aleatët për uljen e tensioneve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin. “Qëllimi i SHBA-së mbetet njohja e ndërsjellë”, tha ai. Ndërkaq, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, kritkoi Kosovën për shkeljen e të drejtave të serbëve dhe, siç tha ai, dhunë ndaj serbëve. “Tensionet ndëretnike në Kosovë janë më të lartat në 50 vjetët e fundit”, pretendoi Nebenzya, duke shtuar se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “do të vazhdojë shtypjen e serbëve” nëse komuniteti ndërkombëtar “nuk e pengon”.
Ai, gjithashtu, kërkoi që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë mbledhjes, ambasadorët e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar kërkuan që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë. Këto dy shtete, po ashtu, kërkuan përparim në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit./Rel/