Zv.kryeministri i Serbisë, njëherazi Ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç u shpreh se Beogradi do t’i vazhdojë projektet e përbashkëta me Kinën, si dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit. Duke folur në një Forum Global për Bashkëpunim në fushën e sigurisë publike, të mbajtur në Lianjungang, Daçiç vuri në dukje se vendi i tij është duke punuar për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët e çështjet ekonomike.
Serbia dhe Kina janë të lidhura nga besimi i ndërsjellë në çështjet me interes të lartë strategjik për të dyja vendet, tha Daçiç.
Qeveria e Serbisë ka cituar Daçiqin të ketë thënë se konferenca në Kinë është sinjal se vendi aziatik është i gatshëm të marrë përsipër rolin e njërit prej lidereve botërore në fushën e sigurisë.
Ne jemi të vendosur për të kontribuuar plotësisht në stabilitetin e rajonit dhe në botë. Ne duam të jemi pjesë e zgjidhjes dhe të marrim pjesë në solidaritet.
Përforcimi i lidhjeve Serbi-Kinë me ardhjen e presidentit serb Vuçiç në pushtet
Serbia i ka forcuar lidhjet me Kinën prej kohës së ngjitjes në pushtet të presidentit serb, Aleksander Vuçiç. Presidenti kinez, Xi Jinping e ka vizituar Beogradin në muajin maj, në 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Ambasadën kineze në Beograd, duke shënuar kështu vizitën e dytë në 10 vjet.
Kina dhe Serbia, e cila është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian prej më shumë se një dekade, kanë nënshkruar deklaratë për partneritet strategjik mes të dyja vendeve, më 2016-ën. Shtatë vjet më vonë, Pekini dhe Beogradi zyrtar kanë nënshkruar marrëveshje për tregtinë e lirë.
Në vitet e fundit, Kina ka kryer një mori investimesh në Serbi. Përveç të tjerash, Pekini ka ndërtuar edhe urën Pupin në Beograd, në kuadër të një autostrade ndërkombëtare, si dhe ka rindërtuar një termocentral në Serbi.