Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se sot do të kërkojë një bisedë me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në fokus, situata në Kosovë.
Do të kërkoj që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë KFOR-in, që bazuar në detyrimet e Rezolutës 12-44, të parandalojë çdo veprim të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë së Kosovës e që kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë, për të kryer çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura.
Vuçiç deklaroi se Serbia bëri gjithçka që mundi për të shtensionuar situatën në Kosovë, por se “atje po kryhet një aksion i persekutimit dhe spastrimit etnik të serbëve, i cili është i mirëorganizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.
Në Kosovë po bëhet kriminalizimi i popullit serb. Serbia do të shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe për shpalljen organizatë terroriste të njësive speciale të policisë së Kosovës. Ne do të marrim vendime të përgjegjshme e në 14 ditët e ardhshme do të informojmë partnerët ndërkombëtarë.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti hodhi poshtë pretendimet se nuk po arrihet shtensionimi i situatës dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, pasi nuk ka marrëveshje. Ai tha se Marrëveshja drejt normalizimit ekziston dhe duhet të zbatohet në tërësi.
Në një tjetër zhvillim, ambasada gjermane në Prishtinë konfirmoi se përkohësisht ka ndërprerë bashkëpunimin me Kosovën në fusha të caktuara, për arsye të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Europian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Nga kjo masë nuk preken projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe ato që kemi filluar t’i zbatojmë. Vendimi përfshin shtyrjen e konsultimeve qeveritare mbi bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë.
Në fund të muajit qershor, BE-ja njoftoi se kishte vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi qeveria e vendit nuk ndërmori hapat e kërkuar nga Blloku europian për shtensionim të situatës në veri.