Rajoni

Serbia arrestoi një kosovar në Merdarë, e akuzon për “krime lufte”!

Me dyshimin për “krime lufte”, autoritetet serbe arrestuan një kosovar në pikën kufitare që lidh Serbinë me Kosovën. Zv.kryeministri dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç tha se shtetasi Tefik Mustafa u prangos në Merdarë për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Si pjesëtar i UÇK-së, në deklaratat e dëshmitarëve, Mustafa përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviç, Zhivojin Paviç e Predrag Millosheviç, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan. Nuk ka më asnjë gjurmë të tyre. Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte.

Më vonë, në një postim në “Facebook” lidhur me këtë rast, sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se Serbisë “me gjasë po i duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet”.

Haxholli iu referua zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në Serbi e ku votohet edhe për këshillat komunalë të Preshevës e Bujanocit ku jetojnë shqiptarë. Duke përmendur rastin “Panda”, ai tha se policët për të cilët Beogradi shprehet se janë zhdukur, “është shumë më e mundshme të jenë zhdukur apo të jenë gjallë në Serbi, se të ketë ndodhur diçka e tillë në territorin e Republikës se Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua me pyetje Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe gjithashtu Policisë së Kosovës në lidhje me arrestimin e shtetasit kosovar, por nuk mori përgjigje.

Në tre vitet e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë të viteve 1998-1999.

Më 17 prill, autoritetet serbe arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike. Edhe ai u prangos nën dyshimet “për krime lufte” më 1999-ën, por akuzat u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë e Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj. Familjarët e tij thanë se akuzat nuk qëndrojnë, pasi para luftës, në vitin 1999, Sadik Duraku ka jetuar me familjen në Angli.

Në fillim të këtij viti, kryeministri Albin Kurti, akuzoi Serbinë për ato që i cilësoi “arrestime të padrejta, të qëllimshme e dashakeqe të qytetarëve të Kosovës”.