Rajoni

Serbi, votime për këshillat komunalë të Bujanocit e Preshevës/Mesazhi i Tiranës!

Në Serbi, sot votohet për këshillat komunalë të Bujanocit e Preshevës. Në prag të tyre pati një reagim nga Tirana zyrtare. Në një postim në rrjetet sociale, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani  përshëndeti pjesëmarrjen e partive shqiptare në zgjedhje. Kryediplomati uroi që numri i votuesve të jetë sa më i lartë.

Vetëm me pjesëmarrje shprehet vullneti politik qytetar dhe ndërtohet e ardhmja që dëshirojmë. Së bashku për demokracinë dhe integrimin e përbashkët europian!

Në mesazhin e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme iu uroi suksese shqiptarëve të Luginës. Kujtojmë se zgjedhjet lokale në Serbi u mbajtën në disa komuna në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në mbi 60 njësi të vetëqeverisjes lokale ku nuk u zhvilluan, përfshirë Preshevën e Bujanocin, ato po organizohen sot.

Për këtë proces, në Preshevë po garojnë gjashtë lista ndërsa në Bujanoc, katër. Kandidatët për kryetar të komunës së Preshevës nga PDSH-ja dhe APN-ja tregojnë se çka presin nga ky proces zgjedhor.

Dy ditë më parë, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se institucionet shtetërore serbe janë duke ndërhyrë në zgjedhjet lokale në Preshevë e Bujanoc. Kamberi bëri të ditur se nga nëndegët e tyre në terren po marrin informacione shqetësuese “për ndërhyrjen e përfaqësueseve të organeve shtetërore në vullnetin e qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit”.

Ftoj drejtuesit e organeve të shtetit të këshillojnë punonjësit e vet të qëndrojnë larg ‘rekomandimeve’, ‘këshillave’, ‘sugjerimeve’ se cilën listë e cilin kandidat duhet ta votojnë të dielën e 2 qershorit, shkroi Kamberi në Facebook.

Ai u ka kërkuar institucioneve serbe që të mos i përdorin këto metoda “se nuk iu bëjnë punë” duke u thënë t’i mbajnë duart larg votës shqiptare.

Kontrollone veten dhe përmbahuni nga ndërhyrja në proces zgjedhor, kjo është detyra juaj ligjore, e mos u mundoni me kontrollu elektoratin.