Rajoni

Serbi, tre persona në gjendje kritike nga tragjedia në Novi Sad!

Tre persona që para dy ditëve mbetën të plagosur pas shembjes së një strehe betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, janë në gjendje kritike për jetën. Sot lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm i vendit, Ivica Daçiç. Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), zyrtari i qeverisë së Beogradit i tha se “pasojat janë të mëdha”, sepse objekti prej betoni ka qenë jashtëzakonisht i rëndë.

Si pasojë e ngjarjes tragjike të ndodhur më 1 nëntor, humbën jetën 14 persona. Shkaqet e rrëzimit të strehës nuk dihen ende e vazhdojnë që të hetohen nga autoritetet përkatëse. Daçiç njoftoi edhe marrjen në pyetje të  pesë vetëve lidhur me rastin. Për të hedhur më shumë dritë mbi atë që ndodhi e përgjegjësitë e secilit, dje u intervistuan 26 të tjerë. Në mesin e tyre ishin punonjës të Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, të drejtuar nga Goran Vesiç.

Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad u hap në korrik të këtij viti pas tre vitesh rindërtim. Drejtoria e Hekurudhave serbe saktësoi se pjesa e strehës së betonit që u shemb “nuk është rindërtuar” dhe “nuk ka qenë pjesë e riparimeve”. Por kjo deklaratë hidhet poshtë.

Ekspertët deklaruan se po, ka qenë subjekt i rindërtimit e se punimet janë kryer nga një konsorcium kinez. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u zotua se do të ketë drejtësi dhe ka kërkuar ndëshkime të ashpra për personat përgjegjës.

Në disa komuna me shumicë serbe në Kosovë, dje flamujt e Serbisë u ulën në gjysmështizë për shkak të ditës së zisë, të shpallur nga Beogradi zyrtar për shkak të vdekjes së 14 personave pas shembjes së një strehe betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në Novi Sad. Në Manastirin e Graçanicës, besimtarët ndezën qirinj për viktimat e tragjedisë në Novi Sad. Edhe në Leposaviç, gjithashtu u raportua se flamujt serbë u ulën në gjysmështizë, referuar mediave atje.