Rajoni

Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës marshojnë për “identitet dhe dinjitet”!

Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë marshuar sot kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, se barazia padrejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po ua bën shqiptarëve.

Kërkesat janë kthimi i gjykatës, zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, kthimi i adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, njohja e diplomave shkollore dhe integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore.

Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar.

Ata marshuan në qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “Kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

Marshi, të cilit i prinë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Bashkisë së Preshevës, Ardita Sinani, ndali pranë ndërtesës së komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar. Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc, në muajin gusht.

Një problem me të cilin përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020-ën ritheksuan përkushtimin për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët e Luginës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar se i ka fshirë në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Europian për Serbinë më 2022-shin, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.

Pas protestës së gushtit në Bujanoc, qeveria e Serbisë tha se ishte përpjekje e qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti “për të destabilizuar rajonin”.