Rrugët në pjesën serbe që të çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë dhe Jarinjë, janë bllokuar pjesërisht pasditen e sotme.
Dy makina, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, në Merdarë.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare në Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar në Jarinje situata është e qetë dhe se automjete kryesisht me targa serbe shihen duke kaluar kufirin në të dyja anët.
Rasha Rojeviç, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe. Rojeviç tha se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve” në Kosovë.