Rajoni

Serbë të Kosovës protestojnë kundër ndalimit të politikanit Arsenijeviç!

Në Kosovën e Veriut, me qindra qytetarë e aktivistë serbë dolën e protestuan në Mitrovicën e Veriut kundër arrestimit të Aleksandar Arsenijeviçit. Një ditë më parë, kryetarit të partisë Demokracia Serbe, iu caktua masa e paraburgimit për 48 orë. Ai akuzohet për veprën penale të ngacmimit.

Zv.drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se Arsenijeviç u arrestua me urdhër të Prokurorisë, në bazë të raportimit të Visar Sylës, shefit të kabinetit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut. Në muajt e fundit, thuajse çdo ditë, Arsenijeviç sfidon me një bilbil legjitimitetin e Kosovës në atë pjesë, si dhe pushtetin qendror.

Ai dhe kolegët e partisë pretendojnë se bëhet fjalë për “aktivizëm politik” e protesta paqësore kundër regjimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kjo është hera e tij e pestë që ndalohet me bilbil në afërsi të zyrtarëve të Kosovës, me arsyetimin se po prish rendin dhe qetësinë publike. Me bilbil protestoi edhe më 10 shtator, para një muaji, ditën kur Kurti kreu një vizitë në Mitrovicën e Veriut.

Edhe atëherë u dënua arrestimi i tij, pasi ka protestuar në mënyrë jo të dhunshme. Protestuesit në protestën e sotme, të shoqëruar nga zhurmat e bilbilave, mbanin në duar pankartat me mbishkrimet: “Bravo EULEX, ju i mësuat mirë” dhe “A është Bashkimi Europian i shqetësuar?”.

Disa organizata joqeveritare, në mesin e tyre Nisma e Re Sociale dhe Aktiv, i kanë dërguar letër Avokatit të Popullit, duke kërkuar reagim të menjëhershëm që zyra e tij të mund të përfshihet në këtë rast. Nënkryetari i Demokracisë Serbe, Stefan Velkoviç është zotuar se nuk do ta ndalin aktivizmin politik me bilbil.

Ne do të vazhdojmë protestën me bilbil, çdo ditë. Ne do të bëjmë protesta paqësore demokratike, ashtu siç dhe kemi bërë deri tani. Kosova është e jona, aq sa është edhe e shqiptarëve, goranëve, romëve, boshnjakëve e komuniteteve, si dhe popujve të tjerë që jetojnë në Kosovë.

Në protestën e sotme janë parë edhe disa përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar në Serbi.