Bota

Senatorë amerikanë në Kinë, Pekini optimist për vizitën në kohën e tensioneve mes dy vendeve!

Në krye të një delegacioni senatorësh republikanë e demokratë, lideri i Senatit Amerikan, Chuck Schumer po viziton Kinën. Senatorët kanë nisur një seri takimesh me zyrtarë të lartë kinezë në kohën e rritjes së tensioneve mes Uashingtonit e Pekinit.

Kina është ndalesa e parë e një turi që gjithashtu përfshin vizita në Korenë e Jugut e Japoni, me qëllim që të shtyhen përpara interesat ekonomike dhe të sigurisë kombëtare të SHBA-ve. Zyrtarët amerikanë thanë se delegacioni i Senatit shpreson të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping.

Pasi vitin e kaluar miratuan një ligj për rritur konkurrencën me Kinën sa i përket teknologjisë, në muajin maj, Schumer dhe përfaqësuesit e një komiteti të demokratëve thanë se do të hartonin një ligj që të kufizojë dërgesat e teknologjisë në Kinë. Kjo për të penguar Pekinin në nxitjen e një konflikti me Tajvanin e për të ashpërsuar rregullat, që investimet amerikane të mos shkojnë te kompanitë kineze.

Schumer do të përqendrohet në nevojën e reciprocitetit në Kinë për bizneset amerikane dhe për ruajtjen e lidershipit të SHBA-ve sa i përket teknologjive të avancuara e sigurisë kombëtare. Kjo vizitë vjen pas një serie takimesh të nivelit të lartë të zyrtarëve të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden me ata kinezë.

Grupi i gjashtë senatorëve amerikanë do të takohet me drejtues qeveritarë e të bizneseve, si dhe të kompanive amerikane në Kinë, Kore të Jugut e Japoni. Në mesin e senatorëve që bëjnë pjesë në këtë grup janë republikanët Bill Cassidy e John Kennedy, si dhe demokratët Maggie Hassan e Jon Ossoff.

Kina mirëpriti vizitën e Schumer-it e tha se shpreson që kjo vizitë të thellojë mirëkuptimin e Senatit për vendin aziatik, si dhe të lehtësojë dialogun mes institucioneve legjislative të dy shteteve.

Administrata Biden ka vendosur kufizime mbi eksportet në Kinë, duke thënë se kufizimet synojnë të parandalojnë aksesin në teknologjitë e avancuara që do të mund të çonin në avancime të mëtejme ushtarake ose në abuzime të të drejtave të njeriut. Kina është kundërpërgjigjur duke i akuzuar SHBA-të se po vendosin kufizime ekonomike ndaj saj.