Aktualitet

Sekuestrohen rreth 90 mijë euro në Portin e Durrësit/Arrestohet shoferi i një kamioni!

Sekuestrohen 88 mijë euro në portin e Durrësit, arrestohet shoferi i kamionit që po i fuste në vendin tonë. Dyshohet se paratë janë të ardhura nga krimi. Në kuadër të operacionit të koduar “Pako”, në pranga ra një 34 vjeçar me banim në kryeqytet. Shuma iu zbulua e fshehur në trup e në çantë. Pas informacioneve në rrugë operative, mjeti i drejtuar prej tij u kalua në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, me metoda bashkëkohore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.

Njoftimi zyrtar: 

Një 34-vjeçar, shofer kamioni, është arrestuar nga policia në Portin e Durrësit, pasi dyshohet se kishte futur në Shqipëri 88 mijë euro të ardhura nga krimi, të cilat janë sekuestruar. 34-vjeçari E.B, banues në Tiranë, u arrestua në kuadër të operacionit “Pako” nga policia kufitare në Portin e Durrësit në bashkëpunim me seksionin e Hetimit dhe ZMPKT Durrës.

Siç njofton policia, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, me metoda bashkëkohore, kamioni që drejtonte 34-vjeçari.

Nga kontrollet, njofton policia, këtij shtetasi i janë gjetur të fshehura në trup dhe në çantë, me qëllim mosdeklarimin, 88 000 euro (të ndara në 4 pako të mbështjella me natriban) që kanë burim të dyshimtë, ndërsa në kamion janë gjetur 18 shishe me verë që dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me faturë blerjeje.