Aktualitet

Sekuestrohen mbi 100 mijë euro, procedohen dy shtetas në Fier!

Policia e Fierit njoftoi sot se proceduar penalisht dy shtetas, të cilët u kapën duke qarkulluar me shuma të mëdha parash e që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale të kryera jashtë vendit. Policia e Fierit ka sekuestruar 100 900 euro, 60 000 lekë dhe dy automjete.

Në njoftimin zyrtar thuhet: 

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të Fierit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë kapur në flagrancë dy shtetas duke qarkulluar me automjet, me shuma të mëdha parash, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale të kryera jashtë vendit.

Në vijim të veprimeve procedurale u referua materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: A. L., 51 vjeç, banues në Levan, Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën 89 390 euro, pa dokument shoqërues për burimin e tyre; J. Xh., 53 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën 11 500 euro dhe 60 000 lekë, pa dokument shoqërues për burimin e tyre.

Shumat e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjetet tip “Benz” dhe 2 celularë. Vijon puna hetimore për përcaktimin e burimit të të ardhurave të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.