Aktualitet

Sekretet hetimore, Rama: Nuk i nxjerrin gazetarët, por prokurorët/Të hetohet burimi!

Në një konferencë për të Drejtën e Informimit, kryeministri Rama, foli dhe në lidhje me nxjerrjen e sekretit hetimor. Duke sjellë në vëmendje disa raste, Rama tha se nëse një sekret i tillë bie në dorën e gazetarëve, duhen hetuar ata që ua dhanë. “Gazetarët nuk i kanë sekretet, ato i disponojnë prokurorët. Kur sekreti i bie në dorë gazetarit, nuk është më detyrimi i tij ta ruajë dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë. Kjo është elementare”, deklaroi kryeministri.

Sekreti hetimor është diçka tjetër. Përfitoj nga rasti të falënderoj Avokaten e Popullit, me një rast të një gazetari i cili u akuzua dhe u keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka ndodhur edhe gjatë pandemisë së COVID-19/ës kur prokuroria iu vu mbrapa ca gazetarëve dhe për mua, gazetarët nuk nxjerrin sekrete hetimore.

Gazetarët nuk i kanë sekretet, i disponojnë prokurorët. Kur i bie në dorë sekreti gazetarit, nuk është më detyrimi i tij ta ruajë. Nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë. Kjo është elementare. Që në Kanun shkruhet e zeza në të bardhë: “Lajmësi nuk ka faj”.

Kush e prodhoi ose kush ia dha që ta çojë diku tjetër, pra te burimi, me atë duhet të merresh. Mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë e mbi gjithçka që ekziston në letër, në vulë, në firmë e që nuk përfshihet në një hapësirë të ngushtë, informacioni është pronë publike që shteti nuk ka as një të drejtë t’ia mohojë qytetarëve.

Rama propozoi dhe ngritjen e një Bordi Kombëtar, që sipas tij synon vendosjen në dispozicion të çdo informacioni për qytetarët, përveç atyre që konsiderohen sekret hetimor. Rama u shpreh se shumë institucione, qoftë ato qendrore apo lokale kanë probleme me qasjen ndaj publikut, duke i mohuar të drejtën e informimit, edhe për informacione bazë.

Ky bord, pjesë e të cilit do të jetë qeveria, pushteti vendor, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Avokati i Popullit, Agjencia e Shoqërisë për Informacion, do të bëjë transparencën e munguar, duke zvogëluar hendekun mes tyre dhe qytetarëve. Këtu përfshijnë publikimin e çdo vendimi qeverie apo kontrate të nënshkruar.

Koha që të krijojmë një Bord Kombëtar apo Komitet, këtë fjalën e kam pak si problem edhe për shkak të faktit se në eksperiencën time kam parë që krijohen për të mos zgjidhur probleme. Do të mos zgjidhësh një problem, krijo një Komitet.

Në fund të ditës është e qartë që në pjesën më të madhe, problemi është se nuk ka një vetëdije për të drejtën e informimit në kohë reale dhe kjo gërryen besimin e qytetarëve, shkel një të drejtë që është e sanksionuar me ligj dhe që s’ka asnjë arsye në botë për ta shkelur.

Nuk bëhet fjalë për të krijuar një produkt, por për ta ekspozuar produktin që krijohet. Çdo vendim qeverie, çdo marrëveshje kontraktuale që nuk është sekret hetimor, duhet të jetë publike dhe ambicia jonë duhet të jetë që në fund të vitit, të kemi një përmbysje të të gjithë përmbajtjes jo të kënaqshme mbi të dhënat për aksesin e publikut në informim dhe për garantimin e të drejtës së informimit.