Dokumentari shqetësues ‘Seaspiracy’, aktulisht në Netflix është një odise e mbushur me zbulime. Regjisori Ali Tabrizi shërben si një guidë dhe rrëfyes i dhembshur duke udhëtuar nga Azia në Evropë duke ndarë frame mbas frame fakte gjithmonë e më shokuese.
Një film që fillon me impaktin e përdorimit të plastikës dhe dëmit që po i sjell Oqeaneve dhe gjallesave që jetojnë në të shumë shpejt shndërrohet në një zbulues të dhjetra organizatave që gjoja mbrojnë nga balenat tek peshqit më të vegjël. Stili retorik i dokumentarit shpesh ngjan me një imitim të një gazetarie investigative.
“Opsioni im i vetëm ishte të ndiqja paratë” – deklaron Tabrizi pasi disa përfaqësues të këtyre organizatave u vunë në vështirësi nga pyetjet e tij. Urgjenca me të cilën të vë përballë ky dokumentar është sfilitëse – nga pamjet e porteve të balenave në Japoni, tek fermat e Salmonit në Skoci – nga prerja e fletëve të Peshkaqenëve në Kinë apo skllavëria e peshkatarëve në Tajlandë, gjithçka rrëshket shpejt në errësirë duke e bërë ‘Seaspiracy’ më shumë se konkluzion fillimin e disa dyshimeve që kërkojnë hetim real dhe jo deduksione ‘të ndjekjes së parave’.
E vetmja linjë që ndiqet plotësisht nga dokumentari është lidhja mes vulës ‘Dolphin Safe’ në konservat e tonit dhe të vërtetat e hidhura pas tyre. Në morinë e këndvështrimeve të hedhura në të, serioziteti dhe besueshmëria fundoset në thellësinë e një oqeani konsiparacionesh.
Sidoqoftë ujërat janë trazuar aq sa organizata të përmendura në film kanë reaguar duke thënë se përfundimet janë të anshme, bazuar në intervista jashtë kontekstit dhe në statistika të gabuara.
Filmi vjen nga e njejta skuadër që solli fituesin e disa çmimeve në 2014 ‘Cowspiracy’, mbështetur nga Leonardo DiCaprio. Tabrizi i kërkon publikut përmes tij të ndalojë konsumimin e peshkut si e vetmja mënyrë për të shpëtuar Oqeanet, sepse ndryshe nga fermat e qëndrueshme të blegtorisë, nuk ekziston një mënyrë e qëndrueshme e peshkimit (shembulli i peshkimit të balenave në Danimarkë).
Aktulalisht ‘Seaspiracy’ (90m) është në ‘Top 10’ filmat më të ndjekur të ‘Netflix’, i promovuar nga artistë si Bryan Adams – i cili i kërkoi gjithashtu fansave të tij të ndalojnë konsumin e peshkut apo ambientalistë si George Monbiot – i cili shkruan në Twitter:
Një ekspoze e shkëlqyer e peshkimit në kohët që jetojmë!
Shiheni dhe vendosni vetë!