Debate në Kuvend, opozita bllokon foltoren pasi më herët, iu rrëzua një kërkesë për interpelancë me kryeministrin Rama për emërimin prej tij të një këshilltari të jashtëm rumun. Në mediat e Rumanisë, Florian Coldea akuzohet si ish-agjent sekret dhe i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se “kërkesa për interpelancë ishte bërë për provokim”, por Bardhi tha se Rama ka frikë të japë llogari.
Kryeministri është i detyruar t’i përgjigjet kërkesave për interpelancë. Rama ka frikë të japë llogari për lidhjet e tij me krimin e organizuar e aferat ku vetë përfshihet nga dita e parë që është emëruar kryeministër i Shqipërisë. Kërkuam interpelancë se ka prova se kryeministri ka emëruar si këshilltar të jashtëm një ish-agjent sekret rumun, Florian Coldea. Më ka shkruar se është për veprimtari private.
Duam të dimë se për çfarë e ka këshilluar? Përse i ka marrë lekët? Apo si McGonigal, për të sulmuar opozitën? Ju lutem, na e thuaj përse e ka këshilluar Coldea, Ramën? Ka marrë 7 mijë euro çdo muaj nga taksat e qytetarëve shqiptarë e ti thua është çështje private. Na thuaj, pse i ka marrë lekët, që përveç ish agjent i shërbimeve sekrete dyshohet të jetë përfshirë në një linjë të trafikut ndërkombëtar të drogës Meksikë-Shqipëri-Rumani.
Gazment Bardhi u përplas edhe me Erion Braçen. Kryetari i grupit parlamentar demokrat hodhi akuza duke iu referuar si zëdhënës i krimit të organizuar e korrupsionit. Referuar vetëvrasjes së një qytetari në dyert e SPAK-ut, i tha se qeveria e tij vret njerëz. Mes të dyve u përdor fjalor i papërshtatshëm. Tensionet çuan në ndërprerje të përkohshme të seancës, me disa minuta e tashmë po vijon.
Bardhi: Ça ke…
Braçe: Ça ke, mbyll gojën se..
Gazment Bardhi: E mos guxo, mbaj vendin tënd! Mos fol, zëdhënës i krimit të organizuar e korrupsionit.
Bardhi: Vrave njerëz në derën e SPAK-ut. Ti e vrave! Ti e qeveria jote që nuk ndërhyni për kreditë e këqija dhe i keni lënë rrugës. Ju ka sjellë si dele e kujtoni se jemi të gjithë dele.
Edhe deputeti demokrat Flamur Noka mori fjalën mes debateve teksa Bardhi kërkonte përgjigje pse Rama mori si këshilltar një ish-agjent rumun ndërsa kreu i grupit socialist, Blendi Çuçi kërkoi të mbyllej ky diskutim e të mos i kërkohej më llogari kryeministrit se nuk e kishte më këshilltar. Noka:
Zonja Nikolla, që jeni zhytur dhe nga sikleti nuk dini çfarë bëni dhe harboni duke folur dokrra këtu, kjo është përgjegjësi e qeverisjes suaj!
Lindita Nikolla i mbyll mikrofonin:
Jo, zoti Noka, ju heq fjalën, kjo nuk është procedurë!
Ndërkaq, para fillimit të kësaj seance, gazetarët pyetën deputetët për zhvillimin e fundit, në lidhje me arrestimin e Ilir Beqajt, për abuzime me fondet e BE-së, kur drejtonte Agjencinë e Monitorimit të Ndihmave, SASPAC. Ligjvënësit socialistë nuk u zgjatën me komente dhe u bashkuan në qëndrimin se vendimet e drejtësisë, nuk komentohen.