Aktualitet

Seanca për Gërdecin, Mediu: Proces absurd!

Në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, GJKKO, sot vijoi shqyrtimi i dosjes “Gërdeci”, ku mes të akuzuarve është dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në seancë ishin pesë ekspertët Bexhed Zeqiri, Ymer Stafa, Rasim Metallari, Latif Cela, Mondi Hoxha, të cilët kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimet e 15 marsit 2008 me pasojë 26 të vrarë e rreth 300 të plagosur.

Avokatët mbrojtës të Mediut kërkuan nga ekspertët që të njihen me mënyrën dhe metodikën e përdorur prej tyre për nxjerrjen e dëmit ekonomik. Por, ata deklaruan se të gjitha përgjigjet gjenden në aktin e ekspertimit dhe kjo shkaktoi debat mes palëve.

Në këto kushte, Gjykata e Posaçme vendosi që të procedojë me depozitimin e pyetjeve me shkrim nga palët, si dhe pastaj me paraqitjen e tyre, po me shkrim. Referuar GJKKO-së, deri nesër në orën 16:00, palët duhet që të kenë dorëzuar pyetjet me shkrim dhe ekspertët e thirrur nga gjykata për Gërdecin, të jenë përgjigjur me shkrim, në datën 17 korrik. Kjo bëri që GJKKO-ja të shtynte seancën gjyqësore për më 17 korrik, ora 09:00.

Në një deklaratë për mediat, Fatmir Mediu deklaroi se çështja po kthehet në një proces absurd, se siç vuri në dukje, ministri nuk ka asnjë lidhje me komisionin e çmimeve.

Procesi kërkon që të bëjmë debat me dëshmitarët. Ky nuk është më një debat gjyqësor, por synon që t’i marrë gjërat të mirëqena e të vendosë përballë disa fakte të shkruara, që nuk kanë asnjë lidhje me ministrin. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme sepse është një material voluminoz. E gjitha kjo është një situatë absurdi, theksoi Mediu, i cili ishte në seancë i shoqëruar nga dy avokatët e tij.

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, Mediu po përballet me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për ngjarjen tragjike të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec, ku pas shpërthimeve të armëve e municioneve në fabrikën e demontimit të tyre, humbën jetën 26 persona. Në atë kohë, ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes në qeverinë Berisha.