Aktualitet

Seanca në Apelin e Posaçëm, Laert Haxhiu kërkon pafajësinë/Kundërshton Dumani!

Në Apelin e Posaçëm, Laert Haxhiu kundërshton vendimin e Shkallës së Parë mbi dënimin e tij me burg përjetë. Në sallë janë kreu i SPAK-ut, Altin Dumani dhe avokati Detar Hysi, jo i pandehuri. Hysi kërkoi “zbardhjen e të vërtetës” dhe ndryshimin e vendimit për burgim të përjetshëm.

Laert Haxhiu është i pafajshëm e çështja duhet gjykuar edhe një herë në Shkallën e Parë, me tjetër trup gjykues. I kërkoj gjykatës të vlerësojë me objektivitet ankimin tonë, duke bërë të mundur zbardhjen e të vërtetës. I kërkojmë gjykatës ndryshimin e vendimit të GJKKO-së për shpalljen fajtor të Laert Haxhiut.

Altin Dumani u shpreh se vendimi i Shkallës së Parë nuk është i drejtë duke renditur në sallë vrasjet e Laert Haxhiut. Dumani theksoi se mes Haxhiut e Xhuljo Shkurtit pati një konflikt që zgjati prej vitesh.

Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë, ndaj duhet lënë ne fuqi. Janë trajtuar si provat e prokurorisë, ashtu edhe provat e kërkuara nga mbrojtja. Sa i takon zbatimit të ligjit, ne gjykojmë se është vendim i drejtë. Sa i takon pretendimit të të pandehurit e mbrojtjes së tij për riçelje të shqyrtimit gjyqësor, ne vlerësojmë se me të drejtë, gjykata rrëzoi kërkesën. Prokuroria i është referuar pamjeve filmike në pikën e karburantit Gulf, jo pamjeve të sjella nga babai i Zamir Latifit. Nuk ka vend për vërtetësinë e provës.

Edhe për pamjet filmike janë pyetur dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e nga akuza. Vrasja e Zamir Latifit dhe e Jurgen Hoxhës, nuk kishte asnjë motiv por u bë për shkak se shënjestër ishte Xhuljo Shkurti, për shkak të konfliktit që Laert Haxhiu kishte me këtë të fundit. Në mënyrë të përsëritur në Shkallën e Parë dhe këtu në Apel, nga mbrojtësi i të pandehurit dëgjuam që nuk jemi përpara një grupi kriminal. Ne sqarojmë se u provua ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal. Mes Laert Haxhiut e Xhuljo Shkurtit ka patur konflikt që ka zgjatur ndër vite.

Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme më 24 prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjës”, ngjarje e vitit 2017. Dy persona mbetën të vrarë dhe dy të plagosur. Dënimi u dha për kryerjen e një sërë veprash penale si “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e “Prishja e qetësisë publike”.