Vitin tjetër nisin xhirimet e një filmi të ri për yllin e muzikës pop, Madonna. Si regjisore dhe bashkë-skenariste, këngëtarja punoi për vite me radhë për filmin, i cili u shpall për herë të parë në vitin 2020, por ajo i shtyu xhirimet për shkak të turneut. Tashmë mediat britanike po shkruajnë se ylli ka zgjedhur edhe një aktore për ta portretizuar. Po flasim për Julia Garner, e njohur më së shumti për rolin e saj si Ruth Langmore në serialin dramatik të krimit të Netflix “Ozark”.
Aktorja u përfshi për herë të parë në projekt në vitin 2022, pasi iu nënshtrua një audicioni rraskapitës 11-orësh. Ndër aktoret që ishin kandidate për këtë rol janë Sydney Sweeney, Florence Pugh dhe Emma Laird. Madonna përfundoi performancën në Brazil muajin e kaluar dhe tani po fokusohet në xhirimet e një filmi biografik.
“Fokusi i këtij filmi do të jetë gjithmonë muzika. Muzika më ka mbajtur gjallë. Ka kaq shumë histori të pathëna dhe frymëzuese, kush më mirë do t’i tregojë ato sesa unë”-shtoi ajo. Bëhet e ditur se Madonna është duke punuar me Universal Pictures, pasi vitin e kaluar ata njoftuan lajmin për shtyrjen e xhirimeve për shkak të turneut të saj.
Rikujtojmë se ylli i muzikës po është paditur nga një spektator i koncertit të saj të turneut të fundit në SHBA për “pornografi të pa paralajamëruar” në skenë, duke argumentuar se në vend të shfaqjes muzikore ishte detyruar të shihte “gra të zhveshura nga mesi e lart, duke kryer simulime aktesh seksuale në skenë”.
Padia e ngritur në Los Angeles nga ankimuesi Justen Lipeles, përmend gjithashtu akuza të tjera për koncertin e 7 marsit në sallën Kia Forum, ku akuzohen këngëtarja dhe organizatorët e eventit Live Nation. Në të përmendet nisja e vonuar e koncertit, refuzimi i lejimit të ajrit të kondicionuar në sallë nga këngëtarja, dhe “pornografia në skenë” si ‘e pakërkuar dhe e panjoftuar’. Lipeles kishte blerë dy bileta nga $500 për koncertin që duhet të niste në 8.30 të darkës por që nisi në 10.00