E ftuar ditën e sotme në emisionin “Pardon my French” ka qenë artistja e njohur, Kejsi Tola. Këngëtarja ka treguar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj dhe suksesin në fushën e muzikës.
Si ka qenë për Kejsi Tolën që karrierën e saj ta nisë me fitore dhe me vende të para në festivale?
Atëherë në fakt unë nuk e kuptoja shumë. Kur kam fituar “Ethet” kam qenë 16 vjeç pastaj kur kam fituar Festivalin vazhdoja të isha 16 vjeç. Pastaj kur kam shkuar në Eurovision sapo bëra 17 vjeç. Vendi i 17-të në Eurovision por e rëndësishme ishte që shkuam në finale. Gjithësesi kanë qenë vite shumë të bukura dhe siç e thashë nuk e kam kuptuar çfarë ka ndodhur me jetën time në atë kohë.
Do të donte Kejsi që t’i përjetonte tani?
Besoj që po. Nuk është se do të doja të ndryshoja shumë gjëra ndonjëherë por pastaj mendoj që Eurovisionin ndoshta do të doja që të kisha qenë pak më e rritur, ta kuptoja pak më tepër ose ta jetoja në këtë kohën tani që çdo gjë është më e prekshme.
Dëshiron të marrë pjesë sërish dhe të shkojë në Eurovision Kejsi?
Pse jo? Por nuk është se e kam një synim ose plan. Ndonjëherë gjërat nuk i kam kërkuar me plane fikse. Patjetër që kam punuar për të bërë gjëra të reja dhe për të qenë në kontakt me publikun. I mendoj pak gjatë këto rikthimet.
Me muzikën Kejsi Tola duket se nuk bën kompromise në sensin që të bëjë një këngë për të bërë koncerte, për të bërë para një rrymë që ndoshta edhe nuk i përshtatet stilit të saj, a është e vërtetë?
Kam përshtypjen që është pak personale, nuk e kam menduar dhe nuk e kam parë muzikën kështu. Patjetër që kam bërë para me muzikën por nuk e kam menduar këtë gjë. Herë pas here kam shkuar edhe në studio që të bëj një gjë ndryshe por shkoj deri aty dhe them jo, nuk mundem sepse ndoshta kështu jam unë.