E ftuar në emisionin “Live From Tirana” ka qenë Kozeta Kurti. Gazetarja e njohur ka dhënë më shumë detaje në lidhje me edicionin e gjashtë të “Albanian Pop-Rock” dhe se cilët do të jenë artistët e njohur që do të marrin pjesë në këtë edicion dhe si ka qenë përzgjedhja e tyre.
Këta që janë duhet të ishin patjetër. Numri i këngëtarëve është 12 nga 15 këtë vit, është reduktuar. Unë doja që të ishin edhe vëllezërit korçar por për shkak të një impenjimi nuk munden, po ashtu edhe Artiola Toska. Duke pasur parasysh referencat unë i kam kënduar pak a shumë këngët e tyre në mendje po së bashku edhe me Shpëtim Saraçin. Është e vështirë sepse nuk janë këngët e tyre dhe nuk i kanë pjesë të vetat. Është sfiduese edhe për ata. Do të sillen këngë shumë të bukura që nuk i kemi dëgjuar, si për shembull “Djali i Kumarës” që do e sjellë Rezarta Smaja. Një gjë kaq e shkurtër do të vijë mjaft e veçantë.
Këngëtarët të cilët do të marrin pjesë në “Albanian Pop-Rock ” janë Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Gena, Bojken Lako, Rezarta Smaja, Mentor Haziri, Gjergj Kaçinari, Denisa Gjezo, Gerta Mahmutaj, Endrik Beba.
A mund të lindin paragjykime?!
Ata që janë mësuar me variantin tradicional të këngëve mund të thonë që na e prishët këngën por pyetja ime për ta është se cili është varianti më i mirë i Napolonit ose më saktë kush është varianti i saktë i tij?! Unë të jap një alternativë, nëse ty nuk të pëlqen atëherë ti shkon tek alternativa tjetër. Kur ke alternativa ke edhe mundësi të bësh debat. Është një alternativë dhe kjo është teknikisht një gjë e transmetueshme.
Një përzierje brezash është elementi kryesor që ka qenë që në edicionin e parë. Ka një mesazh aty brenda, muzikën po nuk e luajte nuk e trashëgon dot kështu që kjo është arsyeja se pse unë i bëj bashkë brezat e rinj. Të gjithë e doni muzikën popullore por e keni edhe kompleksin për ta kënduar. Në fund këngëtarët që kanë potencën rock i shikojmë edhe tek tradicionalja.