Bota

Scholz përjashton një mocion besimi për qeverinë gjermane!

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka përjashtuar mundësinë e një votëbesimi në parlament përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Në intervistën e tij vjetore me transmetuesin publik ZDF, shefi i qeverisë së Berlinit tha se kabineti i tij i koalicionit vazhdon që të ketë shumicën në Bundestag, siç njihet ndryshe Parlamenti i Gjermanisë e shtoi se ende ka punë për të bërë.

Scholz pranoi se peizazhi politik i thyer i Gjermanisë mund ta bëjë qeverisjen e vendit edhe më të vështirë, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë federal.

Kam frikë se çfarëdo që të ndodhë në vitet e ardhshme, ne do të vazhdojmë të kemi situata në Gjermani në të cilat është shumë e ndërlikuar që të formosh një qeveri, vuri në dukje kancelari.

Scholz mbrojti rekordin e qeverisë së tij në detyrë, pavarësisht se tre partitë pësuan regres historik në votimet e fundit në dy lande lindore. Po ashtu, një temë kryesore në intervistë ishte dhe mbështetja e qeverisë gjermane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, e cila po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje në Gjermaninë lindore. Luftimet vijojnë prej muajit shkurt të vitit 2022.

Unë besoj se tani është koha për të diskutuar se si ne mund të sjellim paqen, deklaroi Olaf Scholz duke argumentuar se konferenca e ardhshme e paqes duhet të përfshijë Rusinë.

Kancelari Scholz anashkaloi një pyetje nëse ai ende i beson presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pavarësisht zbulimeve se një shtetas ukrainas dyshohet se ka sabotuar tubacionet e Gjermanisë “Nord Stream” në detin Baltik.

Unë kam një marrëdhënie të mirë me Volodymyr Zelensky-n, tha kancelari. Në të njëjtën kohë është absolutisht e qartë për mua se kjo çështje duhet të zgjidhet, shtoi ai.

Suksesi i partisë Alternativa për Gjermaninë në zgjedhjet e 1 shtatorit në dy shtete gjermane, rriti trysninë mbi qeverinë e përçarë të kancelarit Olaf Scholz dhe e la partinë kryesore opozitare të vendit të përballet me vështirësi për të gjetur një mënyrë për të qeverisur në dy rajonet lindore, pa përfshirë partinë e ekstremit të djathtë.

Alternativa për Gjermaninë, AfD, u bë partia e parë e ekstremit të djathtë që fitoi zgjedhjet shtetërore në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore në Tyringen nën udhëheqjen e një prej personaliteteve më të skajshme Björn Höcke.

Në Saksoninë fqinje, ajo doli e dyta pas konservatorëve të Unionit Demokristian, i cili kryeson opozitën kombëtare. Votuesit ndëshkuan tre partitë e koalicionin qeverisës të kancelarit Scholz, që dolën me më pak se 15% të votave.