Kancelari gjerman Olaf Scholz sot në Stamboll për bisedime me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. “Pikat kryesore në axhendë mund të përfshijnë Lindjen e Mesme, emigracionin dhe sigurinë”, siç deklaruan burime zyrtare në Ankara. Pritet të diskutohet edhe për lidhjet ekonomike mes dy vendeve.
Vizita mund të shënojë një pikë kthese pasi Berlini zyrtar po kërkon mbështetjen e Ankarasë, veçanërisht në çështjen e deportimit të disa emigrantëve të paligjshëm. Kohët e fundit, qeveria gjermane informoi se Turqia ka rënë dakord të lehtësojë dëbimet. Shtetasit turq përbëjnë grupin e tretë më të madh të azilkërkuesve në Gjermani, pas sirianëve e afganëve.
Në gjysmën e parë të këtij viti, 441 persona me origjinë turke u dëbuan nga Gjermania në Turqi, referuar të dhënave zyrtare gjermane. Në fund të muajit të kaluar u kërkua që më shumë se 15 mijë shtetas turq të largoheshin nga vendi. Luftërat e vazhdueshme në Ukrainë, si dhe në Gaza mund të jenë po ashtu në axhendë.
Qeveria e Erdogan-it ka marrëdhënie të ngushta me organizatën islamike radikale palestineze Hamas dhe ka dalë hapur duke e quajtur Izraelin një “shtet terrorist”, si dhe kritikon qeverinë gjermane për furnizimin e Izraelit me armë.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu urdhëroi një rritje të konsiderueshme të dërgesave për popullatën e vuajtur palestineze në Rripin e Gazës, siç po raportojnë mediat në Izrael. Transmetuesi publik izraelit “Kan” informon se 250 kamionë në ditë do të çojnë mallra të natyrës humanitare në zonën bregdetare të Mesdheut, aty ku lufta po vazhdon prej më shumë se një viti tashmë.
Vendimi i shefit të qeverisë Benjamin Netanyahu duket se ishte një përgjigje ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shkurtuar dërgesat e armëve për Izraelin, në rast se situata e popullatës civile palestineze në Rripin e Gazës nuk përmirësohet por vazhdon që të njohë një përkeqësim të mëtejshëm.
Sipas autoritetit izraelit që është dhe përgjegjës për çështjet palestineze, Koordinimi i Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT), 50 kamionë që transportonin ndihma hynë në Gaza të mërkurën e 16 tetorit e 30 të tjerë, një ditë më parë. Situata po konsiderohet veçanërisht e rëndë në pjesën veriore të zonës bregdetare.