Sanremo përfundoi me fitoren e paralajmëruar të Marco Mengonit, por në Itali u mbyll një festival i tensionit të lartë mes qeverisë së re dhe Rai-t. Mes fotove të grisura, pjesëmarrjes së shpallur e më pas të tërhequr, polemikat nuk janë të destinuara të shuhen shumë shpejt. Pas mbrëmjes finale, zv.kryeministri Matteo Salvini mendoi t’i hidhte benzinë zjarrit.
Emrin e fituesit e mësova sot në mëngjes, urimet më të mira! Nuk komentoj më tej, por sigurisht duhet reflektim mbi administrimin e Rai-t në tërësi. Nuk e ndoqa finalen, isha me vajzën time dhe bëra një shëtitje në Firence. Qendra e këtij qyteti është shumë më e bukur se çdo gjë tjetër…
Në pesë mbrëmje të Festivalit të Sanremos u krijuan situata të ndryshme, që qeveria nuk i gëlltiti. E nisi Fedez teksa tregoi live një foto të zëvendësministrit Galeazzo Bignami i veshur si nazist dhe më pas e grisi në skenë. Një gjest që nga qeveria e djathtë u konsiderua “i rrezikshëm”.
Po nëse ndonjë i çmendur kalonte nga fjalët në vepra duke goditur ndonjërin prej nesh?!
Kaq mjaftoi që maxhoranca të kërkojë ndryshime në majën e Rai-t, madje sa më shpejt të jetë e mundur.
Zelensky, video dhe letra
Pastaj kryefjala ishte Zelensky, por Zelensky hiç. Fillimisht u konfirmua si i sigurtë fjalimi video i presidentit ukrainas dhe më pas u fol për një letër që u lexua shumë vonë nga prezantuesi Amadeus.
Apel për legalizimin e kanabisit
As thirrja e grupit hip hop italian Articolo 31 për legalizimin e kanabisit, të cilës iu bashkua Fedez, nuk ngjalli entuziazmin e kësaj maxhorance.
Paola Enogu dhe racizmi
Po ashtu, “shpirtrat u ndezën” në konferencën për shtyp, përpara se volejbollistja Paola Enogu të dilte në skenë përkrah Amadeusit. Ndërsa Salvini u shpreh se “italianët mund të kenë shumë defekte, por nuk janë racistë”, Paola e mendon ndryshe:
Italia është një vend racist, edhe pse është duke u përmirësuar.
Shakatë e Fiorellos gjatë finales së mbrëmshme, si parashikim për drejtuesit e Rai-t.
A është Coletta atje? E di se çfarë do të ndodhë me të nesër. Më lejoni ta shoh për herë të fundit. Një festival si ky është i papërsëritshëm, por nesër drejtuesit do të shkojnë të gjithë në shtëpi.