Samsung mund të prezantojë në vitin 2025, një telefon që do të paloset 3 herë. Nga Koreja e Jugut pohojnë se Samsung tashmë e ka gati teknologjinë për të krijuar një telefon të palosshëm dhe zinxhiri i furnizimit është gati për produktin e ri. Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet të merret nga Divizioni MX (Mobile Experience), i cili është përgjegjës për telefonat me ekrane të palosshme të gjigantit koreano-jugor. Porositë për panelet OLED të palosshme ranë me më shumë se 10%, pasi kërkesa për Galaxy Z Fold6 dhe Galaxy Z Flip6 nuk i kaloi pritshmëritë.
Dërgesat e Samsung Display, kur bëhet fjalë për panelet fleksibël OLED, do të arrijnë në 12 milionë në vitin 2024. Kjo është një rënie e madhe prej 40 për qind nga dërgesa e vitit të kaluar prej 20 milionë. Samsung ka njoftuar se do të zbulojë një Galaxy të ri, por emri i produktit ende nuk është zbuluar. Supozohet se pajisja e re mund të jetë Galaxy Z Fold Special Edition, i cili është përfolur prej disa kohësh. Por, ende nuk është konfirmuar nëse emri zyrtar do të jetë pikërisht ai apo Galaxy Z Fold6 Special Edition.
Sipas një raporti të GSMArena, thuhet se Samsung Galaxy Z Fold i ri do të jetë 4.9 mm i trashë kur është i hapur dhe 10.6 mm kur paloset. Thuhet se pajisja do të ketë një çip Snapdragon 8 Gen 3, një kamerë kryesore 200 MP dhe certifikim IP48. Ekrani i jashtëm thuhet se do të ketë një diagonale prej 6.5 inç, ndërsa ekrani i palosshëm do të jetë 8 inç. Me prezantimin që vjen javën e ardhshme, së shpejti do të mësojmë të gjitha detajet në lidhje me këtë smartphone të ardhshëm.
Rikujtojmë, se Samsung kërkoi një falje të rrallë pasi tha se kishte vetëm 6.78 miliardë dollarë fitim operativ për tremujorin e fundit, rreth 900 milionë dollarë më pak se pritjet e analistëve. “Ne kemi shkaktuar shqetësime në lidhje me konkurrencën tonë teknologjike dhe të ardhmen e kompanisë për shkak të performancës sonë që bie poshtë pritshmërive të tregut”-thuhet në deklaratën që i atribuohet zëvendësdrejtorit të Samsung, Jun Young-hyun.