Samiti rajonal parlamentar, me temë “Rruga drejt sistemeve gjithëpërfshirëse dhe fleksible agroushqimore në rajon”, çeli punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 22 vendet e rajonit, duke dëshmuar rëndësinë dhe angazhimin për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme. Raimund Jehle, përfaqësues i Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) tha se “sistemet agroushqimore lidhen me çdo aspekt të ekzistencës njerëzore dhe janë të lidhura ngushtë me shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, tokën, ujin, klimën, biodiversitetin dhe ekonominë”.
Sipas tij, krizat e shumta që prekin rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, si dhe sfidat botërore, si ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit e ndotja e mjedisit, ndikojnë ndjeshëm në transformimin e sistemeve agroushqimore.
Në këtë konteks, vlerësimi i situatës lidhur me sistemet agroushqimore në rajon tregon se ato po dështojnë në nivele të shumëfishta. Arritja e sigurimit ushqimor, të ushqyerit kërkojnë një sërë veprimesh të bashkërenduara në disa fronte: politika dhe programe koherente, rritje të financimit e investimeve në përputhje me përparësitë dhe kërkesat kombëtare për bashkëpunim më të madh në sektorë të ndryshëm e me palë të ndryshme interesi.
Më tej, theksoi rolin e organeve ekzekutive të qeverive në lehtësimin e zbatimit, përmes institucioneve dhe rrjeteve të tyre.
Anëtarët e parlamenteve kanë pozicion strategjik për ta bërë transformimin e qëndrueshëm të sistemit agroushqimor përparësi të axhendave politike kombëtare. Kjo përfshin mbështetjen e miratimit të politikave, përcaktimin e kornizave të përshtatshme ligjore dhe rregullatore, ndërgjegjësimin, nxitjen e dialogut ndërmjet palëve përkatëse.
Parlamenteve dhe parlamentarëve u bëhet thirrje të japin kontribut më të efektshëm për administrimin e sistemeve ushqimore, përfshirë rritjen e sigurimit ushqimor dhe mjedisor, dhe proceseve përkatëse përgjatë zinxhirit të furnizimit ushqimor.
Ky samit i shërben shkëmbimit të pikëpamjeve e njohurive mbi gjendjen e sistemeve agroushqimore dhe nxit rolin e Parlamentit e më konkretisht rolin e Komisioneve të Bujqësisë në trajtimin dhe reagimin ndaj krizave dhe sfidave që prekin ose mund të nxisin transformimin e sistemeve ushqimore, me qëllim përfshirjen e qasjeve e përgjigjeve novatore që përmirësojnë qëndrueshmërinë.
Sistemet agroushqimore janë në zemër të ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Ato janë të lidhura ngushtë me shëndetin tonë, mjedisin dhe qëndrueshmërinë përballë sfidave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, sigurinë ushqimore e pabarazinë ekonomike. Diskutimet tona, sot janë vendimtare, pasi ato do të formësojnë strategjitë që ne përdorim për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, të barabartë dhe të begatë për të gjithë.
Në samit marrin pjesë anëtarë të komisioneve parlamentare të Bujqësisë dhe Ushqimit të vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore.