Bota

Samiti për Ukrainën u shty por Zelensky nuk anulon vizitën në Gjermani!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot do të udhëtojë në Gjermani, pavarësisht se samiti i planifikuar për Ukrainë u shty për shkak të uraganit “Milton” duke bërë që presidenti amerikan, Joe Biden të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fillimisht, Zelensky ka planifikuar të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe më pas me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, në Berlin. Bisedimet pritet të fokusohen në mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën e kjo në formën e dërgesave të armëve për mbrojtjen e vendit kundër pushtuesve rusë, por edhe në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore të luftës.

Nesër Zelensky do të merrte pjesë në një samit për Ukrainën me liderët e 50 vendeve aleate në bazën ajrore amerikane në Ramstein, në Gjermaninë jugperëndimore por u shty pasi Biden vendosi të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për shkak të uraganit “Milton”.

Tashmë që samiti nuk do të mbahet, sot Zelensky pritet të zhvillojë një vizitë dypalëshe, pas bisedimeve në Londër, Paris dhe Romë. Kjo është vizita e dytë e presidentit ukrainas në Gjermani brenda pesë javësh dhe takimi i tretë personal me Scholz-in gjatë kësaj periudhe.

Në fillim të muajit të kaluar, Zelensky mori pjesë në një takim të ministrave të Mbrojtjes të aleatëve të NATO-s në Ramstein dhe u takua me kancelarin gjerman Scholz në Frankfurt. Vetëm tre javë më vonë, të dy liderët u takuan sërish përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Para samitit, Zelensky iu ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës për më shumë dërgesa armësh. Në një videomesazh, vuri në dukje se dërgesat e mjaftueshme për vijën e parë, pajisjet për brigadat dhe armët me rreze të gjatë do të ishin të nevojshme në muajt e ardhshëm për të ndaluar Rusinë e për ta detyruar atë drejt paqes.

Ne do të përpiqemi të bindim partnerët tanë në takimin e ardhshëm në Ramstein për nevojën urgjente për përforcim të konsiderueshëm të aftësive dhe pozicioneve tona pikërisht tani, gjatë këtyre muajve të vjeshtës. Ne i ftojmë partnerët tanë të përcaktojnë se si e parashikojnë fundin e kësaj lufte, vendin e Ukrainës në arkitekturën globale të sigurisë dhe hapat e përbashkët që mund ta drejtojnë këtë luftë drejt fundit.