Liderë të shteteve, si edhe ministra e të tjerë zyrtarë nga rreth 200 vende të botës, sot mblidhen në Azerbajxhan për të ndjekur punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet e Klimës. Mësohet se fokusi do të jetë se si të parandalohet ngrohja globale, por edhe pasojat e saj vdekjeprurëse. Në këtë konferencë dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga valët e të nxehtit, stuhitë e përmbytjet nga moti i keq, në kohën kur intensiteti i tyre është rritur për shkak të ndryshimeve të klimës.
Shtetet në zhvillim dhe organizatat për ambientin presin nga shtetet e pasura që të mobilizohen për të mund të ndarë të paktën 1 trilion dollarë në vit apo 10 herë më shumë se zotimi aktual prej 100 miliardë dollarësh në vit. Për të financuar këtë rritje, aktivistë për klimën janë duke propozuar shtimin e taksave ndaj të pasurve, si dhe vendosjen e taksave shtesë për nxjerrjet e qymyrit, të naftës e të gazit.
Organizatat joqeveritare shqetësohen se samiti i njohur si Konferenca e Palëve apo ndryshe COP29 do të mbetet në hije nga fitorja e Donald Trump-it si president amerikan duke u rikthyer për një tjetër mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë. Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, Trump pati urdhëruar largimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Sipas raportimeve të së përditshmes amerikane New York Times, të bëra gjatë fundjavës, tani, Donald Trump jo vetëm që planifikon largimin nga Marrëveshja e Parisit, por edhe një zhvendosje të selisë së Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit larg Uashingtonit. Po ashtu, pritet që si president t’i ndryshojë politikat, të cilat i mundësojnë nxjerrjen e naftës e të qymyrit.
Janë me mijëra zyrtarë, gazetarë, aktivistë e lobues politikë të ftuar që të marrin pjesë në konferencën e organizuar në Azerbajxhan, një ish-republikë sovjetike, në të cilën liria e shprehjes është tejet e kufizuar.