Bota

Samiti i OKB-së për të Ardhmen, plani i reformës pret miratimin!

Në mesin e një komuniteti botëror thellësisht të ndarë, sot në Nju Jork, shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara do të miratojnë njëzëri një plan reformash të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB. Ishte planifikuar që marrëveshja të aprovohej unanimisht nga të 193 shtetet e Kombeve të Bashkuara, pa votim. Por, pas disa muajsh negociatash, Rusia po “trazon ujërat” para samitit dyditor të OKB-së për të Ardhmen, që fillon sot pasdite në Nju Jork.

Vendet anëtare të OKB-së po përgatiten ndaj një përpjekjeje të Moskës për të detyruar një votim mbi të ashtuquajturin Pakt për të Ardhmen, sipas diplomatëve.

Fillimisht, nuk ishte e qartë nëse ky përbënte vetëm një kërcënim bosh nga Rusia. Thuhet se diplomatët patën parashikuar se shteti rus do të mbështeste kompromisin e negociuar me vëmendje e kujdes, pavarësisht kërcënimeve të bëra prej saj.

Nëse Moska këmbëngul të nxisë një votim, ekspertët besojnë se kjo mund të shmanget me shumicën e nevojshme të votave nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Pakti për të Ardhmen u negociua nën drejtimin e Gjermanisë dhe të Namibisë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz do të mbajë një fjalim, në nisje të aktivitetit. Scholz ndodhet në Nju Jork edhe pse sot po mbahen zgjedhje të profilit të lartë rajonal në Brandenburg.

Vëzhguesit politikë si në Gjermani, ashtu edhe jashtë saj, mbeten “të etur” për të parë se si partia e tij Social-Demokrate (SPD) do të dalë në votime. Kjo pasi forca e djathtë populiste, Alternativa për Gjermaninë (AfD) mund të pasqyrojë sukseset e fundit zgjedhore në Turingi e Saksoni.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për reforma ambicioze të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për ta bërë komunitetin ndërkombëtar më të aftë për të vepruar përballë shumë krizave e luftërave, si dhe për ta bërë botën një vend më të drejtë.

Ky pakt përfshin deklaratat e synimit për të reformuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe bën thirrje për një rregullim të sistemit financiar ndërkombëtar, në favor të të ashtuquajturit Jugu Global. Gjithashtu, synon të vendosë bazat fillestare për rregullimin global të Inteligjencës Artificiale (IA).

Pavarësisht shpresave, dokumenti përfundimtar nuk i përmbush pritshmëritë ambicioze të Guterres-it, theksuan diplomatët.