Bota

Samiti i NATO-s në Uashington, diplomatët e huaj tregojnë “me gisht” Kinën: Po ndihmon makinerinë luftarake të Putinit!

Në prag të Samitit të 32 vendeve anëtare të NATO-s që do të mbahet në Uashington me rastin e 75 vjetorit të krijimit të Aleancës, një ndër çështjet kryesore që do të diskutohet është sulmi rus ndaj Ukrainës.

Një diplomat i lartë perëndimor në Tiranë i tha Top Channel pak ditë më parë se mbështetja që Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po i japin Vladimir Putinit në këtë luftë prek drejtpërdrejtë paqen dhe sigurinë në Europë dhe në Botë.

“Kina flet për angazhim në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë por faktet flasin për një qëndrim të dyzuar të saj, mes bashkëpunimit të pretenduar me vendet evropiane dhe ndihmës që po i jep makinerisë ushtarake ruse në Ukrainë. Republika Popullore e Kinës nuk mund t’i bëjë të dyja. Nuk mundet që edhe të kesh marrëdhënie më të forta, më të thelluara me Europën dhe vendet e tjera, edhe të furnizosh kërcënimin më të madh që i bëhet sigurisë europiane për një kohë të gjatë”, tha diplomati perëndimor.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar shpesh shifra dhe statistika që flasin për rritjen e madhe të eksporteve të armatimeve të Pekinit në drejtim të Moskës.

“Kina, Irani dhe Korea e Veriut po ndihmojnë Rusinë me makineri, kapacitete elektronike, pajisje të industrisë optike ushtarake dhe teknologji raketash”, tha më tej diplomati për Top Channel.

Ai theksoi se roli i shqiptarëve mbetet shumë i rëndësishëm sa i përket sigurisë në rajon në kushtet kur makineria ruse vijon të sulmojë Kievin e mbështetur edhe nga vende si Kina, Irani dhe Korea e Veriut.