Aktualitet

Samiti i grave afgane, kryediplomati Hasani: Shqipëria, pjesë e përpjekjeve për paqe!

Në Tiranë po zhvillon punimet Samiti i Grave Afgane, takimi më i madh i tre viteve të fundit i aktivisteve të të drejtave të njeriut nga Afganistani. Aktiviteti do të zhvillojë punimet përgjatë deri më 13 shtator nën kujdesin e qeverisë shqiptare përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e organizohet nga “Gratë për Afganistanin (WFA)”, në bashkëpunim me qeveritë e Spanjës dhe të Zvicrës.

Duke përshëndetur punimet e këtij samiti, kryediplomati Igli Hasani tha se ai është i pari i këtij formati që mbahet në Tiranë. Takimin, ministri e quajti “ngjarje historike se sipas tij, “është hera e parë që shënohet mbledhja e një numri kaq të madh grash aktiviste nga Afganistani”.

Që prej ardhjes në pushtet të regjimit taleban, tre vite më parë, ne jemi dëshmitarë se si dekada progresi të arritura me përpjekje e mund për barazinë gjinore, po shkatërrohen ditë pas dite, tha Hasani.

Shefi i diplomacisë shqiptare solli në vëmendje se “gjatë dy viteve të fundit, talebanët kanë shpallur 70 dekrete e udhëzime që i kthejnë gratë dhe vajzat në objekte diskriminimi sistematik”.

Nën regjimin taleban, Afganistani është kthyer në vendin e vetëm në botë ku vajzave iu ndalohet e drejta për të ndjekur arsimin e mesëm dhe të lartë, shtoi ai. Po rrezikohet autonomia dhe ekzistenca e grave e vajzave afgane në shoqëri.

Igli Hasani theksoi se nuk mund të ketë shoqëri njerëzore të drejtë që nuk respekton dhe vigjilon mbi të drejtat e grave. Rreth 100 gra afgane duke përfshirë rrjetet e tyre në vende të ndryshme, po marrin pjesë në samitin treditor, si një platformë për të ndërtuar unitet e një mesazh koheziv, si dhe për të përforcuar zërat e tyre.

Po ashtu, ministri deklaroi se “Shqipëria është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në Afganistan”.

Garantimi i të drejtave të grave e vajzave, mbetet prioritet i qeverisë shqiptare, vuri në dukje kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani. Më tej, Hasani nënvizoi se Shqipëria në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, në fokus ka edhe avancimin e axhendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, pasi sipas tij, “përgjegjësia për të ngritur zërin nuk është vetëm e grave afgane, por e të gjithëve ne”.