Bota

Samiti i BE-së në Bruksel: Zgjedhja e zyrtarëve të lartë të bllokut!

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian sot mblidhen në Bruksel për një samit dyditor, me fokus shpërndarjen e posteve kryesore drejtuese në institucionet e bllokut, axhendën strategjike për 5 vitet e ardhshme, si dhe Ukrainën e Lindjen e Mesme. Udhëheqësit e shteteve anëtare duhet të emërojnë presidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Meqenëse është një paketë, ata duhet të bien dakord dhe për emrin e presidentit të ardhshëm të Këshillit Europian, emërimi i të cilit është përgjegjësi e krerëve të shteteve ose qeverive të shteteve anëtare, si dhe presidentit të Parlamentit Europian, i cili zgjidhet nga eurodeputetët.

Negociatorët nga tre grupe politike, Partia Popullore Europiane (EPP), Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe Liberalët (Renew), arritën një marrëveshje për pozitat e larta në bllok. Ata ranë dakord që Ursula von der Leyen të marrë një mandat të dytë në krye të Komisionit Europian.

Presidenti i Këshillit Europian, siç është rënë dakord, duhet të jetë ish-kryeministri portugez i krahut të majtë, Antonio Costa, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas nga Renew duhet ta zëvendësojë spanjollin Josep Borrell në udhëheqjen e politikës së jashtme të bllokut, ndërsa presidente e Parlamentit Europian duhet të mbetet Roberta Metsola për dy vjetet e ardhshme.

Sipas agjencive, kryenegociatorët nga tri grupet kryesore parlamentare, kryeministri polak, Donald Tusk dhe ai grek, Kyriakos Mitsotais nga EPP-ja; kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez nga S&D; presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte nga Renew diskutuan marrëveshjen për tri orë, duke mos përfshirë liderët e tjerë në diskutime.

Emërimi i Ursula von der Leyen-it duket i sigurt pas kësaj marrëveshjeje, por është më pak e sigurt se ajo do të marrë një shumicë të madhe (361 vota) në Parlamentin Europian, edhe pse këto parti kanë një shumicë prej 399 deputetësh sepse ato jo gjithmonë votojnë ashtu siç votojnë shumica në grupet e tyre parlamentare.

Të martën, kryeministri hungarez Viktor Orban kritikoi ashpër “marrëveshjen e PPE-së me të majtët dhe liberalët”, duke thënë se është “kundër çdo gjëje në të cilën bazohet BE-ja”.

Në vend të përfshirjes, mbjell farën e ndarjes. Zyrtarët më të lartë në BE duhet të përfaqësojnë të gjitha shtetet anëtare, jo vetëm të majtët dhe liberalët.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, vlerësoi se marrëveshja e gjashtë liderëve për shpërndarjen e posteve kyçe nuk respekton vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet europiane. Në samitin dyditor, krerët e BE-së duhet të miratojnë një program strategjik që përcakton udhëzimet për veprimet e BE-së në pesë vitet e ardhshme.

Samiti do të fillojë pasdite me një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit hapi zyrtarisht negociatat e pranimit të martën.

Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, liderët e BE-së në samit pritet të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, zbatimin e propozimit për armëpushim të përfshirë në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përsërisin thirrjen për armëpushim në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve dhe kërkesa për shtimin e ndihmave humanitare.