Bota

Samit në Romë, kërkohet përgjigje europiane për rritjen e çmimeve të energjisë!

Një samit katërpalësh në Romë mes kryeministrave të Italisë, Greqisë, Spanjës e Portugalisë u cilësua nga pjesëmarrësit si “hap i rëndësishëm drejt formulimit të një përgjigjeje europiane ndaj rritjes dramatike të çmimeve të energjisë”. Shefi i qeverisë greke, Kyriakos Mitsotakis:

Eshtë bindja jonë e përbashkët që përballja me një sfidë të tillë kërkon një përgjigje të përbashkët europiane. Veprime, me fjalë të tjera, për të mbrojtur shoqëritë tona, pasi asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm këtë krizë. Rritja e çmimeve në sektorin e energjisë përbën një çështje kryesore për ekonomitë tona dhe kohezionin social të popujve tanë.

Ne jemi dakord që zgjidhjet nuk mund të jenë vetëm kombëtare. Në fazën fillestare, propozojmë që të ketë politika të harmonizuara europiane të ndërhyrjes kundër spekulantëve, që të rivendoset ekuilibri në çmimet e energjisë elektrike dhe gazit natyror. Duhet të merren vendime të menjëhershme në takimin e radhës së Këshillit Europian dhe Europa të formojë një front të bashkuar.

Në takimin e drejtuar nga kryeministri italian Mario Draghi, Mitsotakis mori pjesë online pasi është në izolim për shkak se u konfirmua me COVID. Të pranishëm fizikisht ishin drejtuesit e qeverive të Spanjës e Portugalisë, Pedro Sanchez dhe Antonio Costa.

Ndërkohë, Belgjika do të përdorë energjinë bërthamore për 10 vjet më shumë nga sa ishte planifikuar, pasi vendi po shqyrton opsionet e veta të energjisë. Sipas kryeministrit, Alexander De Croo, “kjo do të thotë se centrali bërthamor “Tihange 3”, pranë kufirit gjerman dhe ai “Doel 4”, pranë Antverpës do të mbeten funksionalë deri në vitin 2035.

Zgjatja e kohës së funksionimit, tani duhet të negociohet me operatorin e impiantit “Engie”, i cili kishte punuar për mbylljen e tyre në vitin 2025.

Planet e Belgjikës shkojnë përtej zgjerimit të operacioneve të centraleve bërthamore dhe ka një plan për të rritur sasinë e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Në vitin 2003, Belgjika votoi për mbylljen e centraleve bërthamore, por kurrë nuk e ka hequr plotësisht përdorimin e kësaj energjie. Sipas operatorit të rrjetit “Elia”, më shumë se gjysma e energjisë elektrike që konsumoi në vitin 2021 ishte prodhuar nga energjia bërthamore.
Debati rreth mënyrës sesi Belgjika do të garantojë furnizimet e saj me energji është bërë më urgjent që kur shpërtheu lufta në Ukrainë.