Aktualitet Politikë

Salianji: SPAK-u të hetojë gjetjet e Komisionit Hetimor për TIMS-in!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, sot reagoi lidhur me hetimin e komisionit për sistemin TIMS. Sipas Salianjit, i cili është dënuar me 1 vit burg për çështjen “Babale”, ky hetim nxori në publik ndërhyrjet e qëllimshme në këtë sistem të dhënash. Ai theksoi se “përfundimet e këtij hetimi, janë një bazë e mirë për ndjekje të mëtejshme nga SPAK”-u.

Salianji akuzoi kryetaren e Kuvendit se nuk i ka përcjellë SPAK-ut konkluzionet e Komisionit Hetimor. Nga kabina telefonike e burgut ku po vuan dënimin, Salianji kërkoi që “të gjenden arsyet, qëllimi dhe përgjegjësia për atë që e quajti “akt të rëndë të pengimit të drejtësisë dhe mbrojtjes së krimit, që të çon vetëm në një drejtim”.

Ato hetime parlamentare janë punë e kontribut disa mujor me kolegë dhe ekspertë e është një shërbim i vyer ndaj interesit publik, lidhur me ndërhyrjet kriminale në sistemin TIMS. Ato konkluzione janë serioze dhe profesionale e ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës dhe të përgjegjësive.

Salianji u shpreh i bindur se një nga arsyet e burgosjes së tij janë edhe gjetjet e atij komisioni.

Jam i bindur edhe më shumë sot se një nga arsyet e burgosjes time politike është dhe zbulimi i manipulimeve me TIMS për të ndihmuar krimin e organizuar. Dhe kjo është padyshim një arsye e një motiv më shumë për betejë me regjimin e një konfirmim i kauzave tona të drejta.

Në një reagim të pak ditëve më parë, kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi reagoi mbi mungesën e zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin e Ervin Salianjit. Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se “moszbardhja e vendimit të gjykatës përbën një mohim të së drejtës së Salianjit për të paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe për të kërkuar drejtësi në shkallët e tjera të gjyqësorit, brenda një afati të arsyeshëm”.

Burgosja politike e nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Ervin Salianji, po shoqërohet edhe me një skandal tjetër nga Gjykata e Apelit. Në shkelje flagrante të ligjit, në tejkalim të çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm, trupa gjykuese po refuzon të zbardhë vendimin gjyqësor, mbi bazën e të cilit një deputet i opozitës ndodhet në burg.

Sipas Gazment Bardhit, “sot një deputet i opozitës ndodhet në burg, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe pa shpjeguar arsyet e kësaj burgosjeje”.

Vetëm në regjimet totalitare, kundërshtarët politikë burgosen për lirinë e fjalës e iu mohohet edhe mundësia për të apeluar vendimin, përmes metodave kriminale të vonesës për zbardhjen e vendimit gjyqësor. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë shkeljen e vazhdueshme të ligjit nga gjyqtarët Elona Toro, Iliba Bezati e Gent Shala, të cilët pasi urdhëruan pa ligj burgosjen politike të një deputeti të opozitës, vijojnë në dhunim brutal të ligjit të mos zbardhin arsyet e këtij vendimi skandaloz.

Vetëm regjimet totalitare burgosin kundërshtarët politikë pa dhënë asnjë argument apo shpjegim. Vetëm në regjimet totalitare kundërshtarët politikë burgosen për lirinë e fjalës dhe u mohohet edhe mundësia për të apeluar vendimin, përmes metodave kriminale të vonesës për zbardhjen e vendimit gjyqësor.