Aktualitet

Salianji: Sot jam i dënuar politik/Në konferencë për media para arrestimit (Live)!

Ervin Salianji ka dalë live në një konferencë për media para arrestimit për dosjen Babale, pas dënimit nga Apeli me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafa për dënimin. “Burgosja është pjesë e planit të Ramës dhe marionetave të tij socialiste në drejtësi për të goditur opozitën”.

Deputeti Salianji deklaroi se ka firmosur kërkesën për hetim pasuror ndaj ish-ministrit, Fatmir Xhafajt drejtuar SPAK-ut. Deputeti demokrat u shpreh se nuk do të dorëzohet, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve t’i bashkohen protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, më 6 Tetor.

Përballë do të më kenë sot, pas një viti, gjatë këtij viti e kështu për vite me radhë, derisa këta të rrënohen. Burgosja ime është pjesë e planit të Ramës. Si ka mundësi që krerët e opozitës duke filluar nga Berisha janë në burg ose në procedim? Sali Berisha u mori 600 mijë vota pa vulë.

Unë çorra fasadën me denoncime dhe prova e këta përpëliten dhe mendojnë si të mjerë që do të më mposhtin me burg. As që mund të mendohet dhe as që e mendoj të dorëzohem.

Nuk do të dorëzohemi është dita jonë e forcës. Më 6 tetor në Tiranë duhet të jemi të gjithë bashkë për të mbytur gëzimin e ligë se po shfarosin PD-në.

Nuk e bëjnë dot. Siç e kam paralajmëruar gjatë javës sapo kam firmosur kërkesën për fillimin e hetimit pasuror për Fatmir Xhafën drejtuar SPAK-ut.