Sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së në Selinë Blu, kryetari Gazment Bardhi propozoi që të mos njihet vendimi i dënimit “politik” të Ervin Salianjit e të mos ekzekutohet. Nga ana tjetër, propozoi që grupi parlamentar i PD-së të ngujohet në Selinë Blu, pa afat.
Mos pranimin e padrejtësisë, grupi parlamentar t’i kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës. Grupi parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike.
Pas mesdite, Ervin Salianji dha një konferencë para arrestimit të pritshëm për shkak se dje iu konfirmua nga Apeli dënimi me 1 vit burg për kallëzim penal në çështjen Babale. Deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafa për dënimin. “Burgosja është pjesë e planit të Ramës dhe marionetave të tij socialiste në drejtësi për të goditur opozitën”.
Salianji deklaroi se ka firmosur kërkesën për hetim pasuror ndaj ish-ministrit, Fatmir Xhafajt drejtuar SPAK-ut. Deputeti demokrat u shpreh se nuk do të dorëzohet, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve t’i bashkohen protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, më 6 Tetor.
Përballë do të më kenë sot, pas një viti, gjatë këtij viti e kështu për vite me radhë, derisa këta të rrënohen. Burgosja ime është pjesë e planit të Ramës. Si ka mundësi që krerët e opozitës duke filluar nga Berisha janë në burg ose në procedim? Sali Berisha u mori 600 mijë vota pa vulë.
Unë çorra fasadën me denoncime dhe prova e këta përpëliten dhe mendojnë si të mjerë që do të më mposhtin me burg. As që mund të mendohet dhe as që e mendoj të dorëzohem.
Nuk do të dorëzohemi është dita jonë e forcës. Më 6 tetor në Tiranë duhet të jemi të gjithë bashkë për të mbytur gëzimin e ligë se po shfarosin PD-në. Nuk e bëjnë dot. Siç e kam paralajmëruar gjatë javës sapo kam firmosur kërkesën për fillimin e hetimit pasuror për Fatmir Xhafën drejtuar SPAK-ut.
Po ashtu u publikua shkresa që sot Prokuroria e Tiranës i ka dërguar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë e ku kërkon ekzekutimin e vendimit penal për deputetin Salianji, i cili po shkon drejt arrestimit. Dokumenti i firmosur nga prokurorja Elona Alvora vjen një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta dënuar atë me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Për shkak se Salianji është deputet, duhen ndjekur procedurat parlamentare. Urdhri i prokurorisë për ekzekutimin e vendimit ka shkuar në polici.