Bota Botë e Çuditshme

Sajoi vdekjen për t’i dhënë familjes mësimin për të mos humbur lidhjet, shkon me helikopter në funeral!

Ka disa mënyra për të përcjellë mesazhet e disa mund të jenë dhe të dhimbshme, por kur mbyllen me një fund të lumtur, gjithçka harrohet e leksioni mësohet, ose të paktën për momentin. Për t’i dhënë familjes mësimin e rëndësishëm për të mos humbur kontaktet, një burrë në Belgjikë inskenoi vdekjen e tij dhe më pas u shfaq në funeral kur zbriti nga qielli, me një helikopter.

TikTokeri David Baerten, 45 vjeç nuk veproi vetëm. Për planin e mirëmenduar u vunë në dijeni duke e ndihmuar dhe bashkëshortja e fëmijët. Një nga vajzat e tij e ndihmoi të mashtronte ndjekësit, në atë që shumë nga populli i internetit e cilësuan si “shaka mizore”. Në rrjetet sociale shkruante:

U prehsh në paqe babi! Kurrë nuk do të ndalem së menduari për ty. Pse jeta është kaq e padrejtë? Pse ti? Do të bëheshe gjysh dhe ende e kishe gjithë jetën përpara. Unë të dua! Ne të duam ty! Nuk do të të harrojmë kurrë.

Dhe nuk e lanë me kaq. Fundjavën e kaluar i organizuan ceremoninë mortore pranë Liezhit dhe për çudinë e të gjithëve që po vajtonin humbjen, “i vdekuri u ngjall”. Baerten bëri një hyrje madhështore me helikopter, i shoqëruar nga një ekip që xhironte “mrekullinë”.

Shakaja e dhimbshme e TikToker-it që numëron 162 mijë ndjekës u pasua me reagime serioze. Baerten u detyrua të shpjegonte veprimet dhe bëri të ditur se këtë e bëri për të parë si do të reagonin familjarët e tjerë, me të cilët prej kohësh nuk ishte më në kontakt të ngushtë.

Ajo që shoh në familjen time, shpesh më lëndon. Kurrë nuk më ftojnë në asgjë. Askush nuk më sheh, të gjithë u ndamë. U ndjeva i pavlerësuar ndaj doja t’u jepja atyre një mësim jete dhe t’u tregoja se nuk duhet të prisni derisa dikush të vdesë për ta takuar.

Baerten ende nuk e ka publikuar videon e plotë të mbërritjes së tij me helikopter.

Një përdorues tjetër i TikTok-ut, i pranishëm në funeral ndau pamjet e uljes së tij në një fushë ku ishin mbledhur miqtë dhe familja. Shumë vetë nxituan për të përshëndetur e përqafuar Baerten ndërsa ai doli nga helikopteri, pa dyshim duke u shpjeguar qëllimin njerëzve të mbledhur.

Miku i tij i ngushtë Thomas Faut ndau një video të të dyve duke u përqafuar pasi u ribashkuan, me mbishkrimin e klipit emocional: Na more. Ndjesia e ribashkimit ishte më e fortë se mashtrimi.

Baerten tha se ndërsa vetëm gjysma e familjes së tij shkoi në funeral, edhe me të afërmit e tjerë u takua më vonë.

Kjo dëshmon se kush kujdeset vërtet për mua. Ata që nuk erdhën, më kontaktuan për t’u takuar. Kështu që në një farë mënyre, fitova.

Disa nga fansat e tij ranë dakord se ishte një mësim jete i vlefshëm për familjen dhe i sugjeruan të injorojë haters-at. Shumë pranuan se u mashtruan nga shakaja, por u qetësuan që ai është gjallë.